Humbja ndaj Ferencvarosit ka shkaktuar pakënaqësi të madhe te Milani. Trajneri Ruben Amorim thuhet se ka zhvilluar një bisedë të gjatë me futbollistët në dhomat e zhveshjes, menjëherë pas përfundimit të ndeshjes.
Milani u mposht me rezultat 0-2 nga skuadra hungareze në “San Siro”, duke e komplikuar edhe më shumë situatën në Ligën e Evropës. Pas katër ndeshjeve, kuqezinjtë kanë grumbulluar vetëm tri pikë dhe kanë dalë jashtë zonës së 24 skuadrave të para në tabelë.
Megjithatë, më shqetësuese se rezultati ishte paraqitja e skuadrës. Milani zhvilloi një pjesë të parë pa ritëm dhe me shumë vështirësi, ndërsa as inkuadrimi i lojtarëve kryesorë në pjesën e dytë nuk solli ndryshimin e pritur, transmeton ORAinfo.
Amorim kërkon llogari nga futbollistët
Sipas raportimeve të mediumit italian “MilanNews”, Amorim ka mbajtur një diskutim të drejtpërdrejtë me të gjithë futbollistët, duke analizuar shkaqet e kësaj humbjeje.
Në qendër të kritikave ishin qasja e gabuar ndaj ndeshjes, mungesa e përqendrimit dhe gabimet e shumta në menaxhimin e lojës.
Trajneri portugez nuk e kurseu as veten, duke bërë të qartë se përgjegjësia për rezultatin duhet të ndahet nga të gjithë.
Më herët, në deklaratën e tij për “Sky”, Amorim kishte kritikuar hapur mungesën e dëshirës dhe përqendrimit te skuadra, duke theksuar se një paraqitje e tillë ishte e pamundur të mbrohej.
Pavlovic, shembulli që duhet ndjekur
Gjatë bisedës në dhomat e zhveshjes, Amorim thuhet se ka rikujtuar edhe përgjegjësinë që mbartin futbollistët kur veshin fanellën e Milanit.
Sipas tij, fanella kuqezi nuk duhet të konsiderohet si një shpërblim, por si një përgjegjësi dhe një hap i rëndësishëm në karrierën e secilit lojtar.
Në këtë kontekst, trajneri portugez ka përmendur edhe Strahinja Pavlovicin, duke e cilësuar përkushtimin e tij në stërvitje si një standard që duhet ndjekur nga pjesa tjetër e skuadrës.
Ndërkohë, edhe pronari i Milanit, Gerry Cardinale, thuhet se ka mbetur i pakënaqur nga disfata ndaj Ferencvarosit.
Cardinale pritet të rikthehet në Itali për ndeshjen ndaj Genoas të dielën, ku synon të shqyrtojë më nga afër luhatjet në paraqitjet e skuadrës.
Tashmë, Milani ka nevojë për një reagim të menjëhershëm në kampionat, në mënyrë që humbja në Evropë të mos lërë pasoja edhe më të mëdha në vazhdimësinë e sezonit. /ORAinfo/