Kombëtarja e Shqipërisë do të ballafaqohet me Çekinë të enjten.
Shqipëria dhe Çekia ballafaqohen të enjten me fillim nga ora 20:45, në kuadër të grupit E për kualifikueset e kampionatit evropian 2024, shkruan GazetaBlic Sport.
Kjo ndeshje ka interesim të jashtëzakonshëm, teksa biletat u shitën për një ditë, e stadiumi “Air Albania” pritet të jetë i stërmbushur edhe njëherë, pavarësisht se biletat ishin me çmim më të shtrenjtë se zakonisht.
Ndeshja e parë e zhvilluar në Republikën e Çekisë u mbyll me rezultatin e barabartë 1-1, me eurogolin e shënuar nga Nedim Bajrami.
Forma në pesë ndeshjet e fundit?
Në pesë ndeshjet e fundit, Shqipëria numëron 3 fitore, një barazim dhe një humbje, kurse Çekia ka tri barazime dhe dy fitore.
Mungesat tek Shqipëria?
Tek kombëtarja kuqezi do të mungojë qendër mbrojtësi, Ardian Ismajli, teksa në dyshim është Gjasula.
Rikthimi i madh!
Një nga lojtarët më të mirë të kombëtares shqiptare, Armando Broja është rikthyer në këtë grumbullim dhe do jetë gati për spektakël.
Shqipëria ndodhet në vendin e parë me 10 pikë në grup, teksa Çekia në vendin e dytë me 8 pikë.
/GazetaBlic Sport