Tuesday, 16. June 2026
Futboll

“Shumë ndeshje pa interes”, komentet e Çeferinit hasin në reagime të ashpra

GS 16/06/2026 2 Min. Lesezeit

Presidenti i UEFA-s, Aleksandër Çeferin, ka ndezur debat me komentet e tij për Kupën e Botës 2026, duke vënë në pikëpyetje zgjerimin e turneut nga 32 në 48 kombëtare.

Në një intervistë për mediat sllovene, kreu i futbollit evropian u shpreh se formati i ri ka sjellë më shumë ndeshje, por jo domosdoshmërisht më shumë interes për tifozët.

“Sot ka shumë ndeshje që nuk zgjojnë interesin që kishte Botërori më parë”, deklaroi Çeferin, duke lënë të kuptohet se rritja e numrit të skuadrave ka ndikuar në cilësinë dhe atraktivitetin e garës.

Megjithatë, ai pranoi se zgjerimi i turneut ka edhe anën e tij pozitive, pasi u ka dhënë mundësi më shumë vendeve të vogla të përjetojnë emocionet e pjesëmarrjes në ngjarjen më të madhe të futbollit botëror.

Komentet e tij nuk kaluan pa reagime. Plot 13 federata nga Afrika, Azia dhe Amerika e Veriut e Karaibet dolën me një deklaratë të përbashkët, duke shprehur pakënaqësi ndaj qëndrimit të presidentit të UEFA-s.

Federatat e Kepit të Gjelbër, Curacaos, Uzbekistanit, Republikës Demokratike të Kongos, Haitit, Algjerisë, Tunizisë, Marokut, Egjiptit, Ganës, Senegalit, Bregut të Fildishtë dhe Afrikës së Jugut e kundërshtuan publikisht deklaratën e Çeferinit, duke theksuar se zgjerimi i Kupës së Botës ka krijuar mundësi të reja për zhvillimin e futbollit në vende që më parë e kishin shumë të vështirë të siguronin kualifikimin.

Në reagimin e tyre, federatat shprehën “keqardhje dhe zhgënjim” për komentet e presidentit të UEFA-s, duke insistuar se një Botëror më gjithëpërfshirës i shërben rritjes së futbollit në nivel global.

Kupa e Botës ka kaluar nëpër disa faza zgjerimi gjatë historisë së saj. Turneu u rrit nga 16 në 24 skuadra në vitin 1982, më pas në 32 ekipe në vitin 1998 dhe tani, për herë të parë, po zhvillohet me 48 kombëtare pjesëmarrëse.

Ndërsa vendet jashtë Evropës kanë përfituar shumicën e vendeve shtesë në formatin e ri, shumë federata e konsiderojnë këtë një hap të rëndësishëm drejt një përfaqësimi më të drejtë të futbollit botëror.

Teilen: