Friday, 17. April 2026
Sport

Sigal Prishtina mbyll sezonin e vështirë me eliminim nga Play-Offi dhe humbje turpëruese

GS 17/04/2026 3 Min. Lesezeit

Përballë sensacionit të ligës, Borës, që arriti suksesin më të madh në historinë e re vetëm katërvjeçare të themelimit, Sigal Prishtina ka mbyllë një sezon dëshpërues të basketbollit.

Humbja e dytë në çerekfinale të Play-Offit, me rezultat të thellë 101-60 nga ekipi që po luan vetëm për vitin e dytë në ligën elite, shfaqi edhe njëherë tjetër një sezon të dështuar të skuadrës më të trofeshme në vend.

Bardhekaltrit luajtën në Play-Off vetëm falë renditjes në xhiron e fundit, pasi ekipi për shkak të rezultateve dhe krizës e problemeve të brendshme në klub, po luftonte si asnjëherë më parë, për mbijetesë.

Me moton “Le të jetë ky sezoni ynë”, nisi paralajmërimi për edicionin e ri të Sigal Prishtinës, gjatë verës së vitit të kaluar kur klubi po bëhej gati për sezonin e ri.

Skuadra angazhoi trajnerin e njohur grek Michalis Kakiouzis dhe prezantoj përforcime vendore e të huaj, për një vit ku priten të kthehen sukseset.

Kampionia e 14-fishtë e Kosovës dhe fituesja e Kupës për 14 herë, nuk e ka fituar titullin e kampionit që nga viti 2019, plot 7 vjet, ndërsa gjatë kësaj periudhe ka fituar vetëm dy trofe, Kupën dhe Superkupën.

Për më tepër, gjatë një edicioni të vështirë dolën në pah shumë probleme, kryesisht me tifozët që kërkonin ndryshimin e kryesisë.
Ndryshimi u bë ndërkohë, por jo ai që pritej nga tifozët. Pas shumë zhvillimeve, drejtimin e Prishtinës e mori kryesia që e dëshironin tifozët.

Akuzat ndaj ish-kryesisë ishin të shumta për keqpërdorime dhe borxhe të shumta. Kryesia e re tha se ka gjetur klubin në borxhe të mëdha dhe ndaj palëve të ndryshme, e në të njëjtën kohë buxhetin zero.

Telashet financiare bënë që Prishtina mos ta kishte forcën që synonte në parket. Kjo solli humbje të shumta, ndërsa vetëm në xhiron e parafundit u garantua mbetja në Superligë, përkatësisht kualifikimi në plejof përmes pozitës së gjashtë.

Por klubi dikur i mësuar me trofe, e përfundoi edhe një edicion pa iu afruar atyre. Për më tepër me humbje prej 40 pikësh nga një rivale lokale dhe me palestër thuajse të zbrazët.

Teilen: