Jan Zomer ka pasur një jetë të qetë këtë sezon me Interin. Praktikisht shokët e skuadrës që luajnë më përpara e kanë ndihmuar që në drejtim të portës së tij të shkojnë shumë pak topa.
Ai ka arritur të mbajë portën e paprekur shpeshherë dhe në një intervistë për mediat zvicerane tregon sekretin e formës dhe momentit që po kalon. Zomer tregon gjithashtu sfidat që kanë zikaltrit për javët e mbetura dhe objektivin për të thyer ndonjë rekord.
Jeni 35 vjeç dhe vazhdoni të thyeni rekorde me Interin. Cili është sekreti juaj?
Gjëja më e rëndësishme është që po jetoj një moment pozitiv. Bëj të pamundurën për të mbajtur mirë fizikun tim dhe për të qenë në formë. Ndërkohë që argëtohem në fushën e lojës dhe dua të vazhdoj sa më gjatë. Në çdo 3 ditë kemi ndeshje dhe unë dua që t’i fitoj të gjitha. Gjithmonë kam nevojë për sfida për të dhënë më të mirën dhe mendoj se kjo ecuri pozitive lidhet me përkushtimin dhe vëmendjen që i kushtoj futbollit ditë pas dite.
Ju luani 2-3 herë na javë mes kampionatit dhe Championsit. Luani edhe me kombëtaren. Nuk ndiheni pak i mbingopur?
Në përgjithësi do të thosha jo. Ky është një diskutim që është për të gjithë lojtarët. Kur luan shpesh, udhëton shpesh dhe ke presion dhe tension. Kjo sigurisht që të lodh dhe vlen për të gjithë lojtarët e çdo moshe. Por unë kam një sekret, nuk flas kurrë për futboll kur kthehem në shtëpi. Kam nevojë që të mendoj për të tjera gjëra dhe të kaloj kohë me familjen.
Ju ndoshta jeni lojtari zviceran më i famshëm tani. Çfarë efekti ju jep kjo gjë?
Është e vështirë që ta them unë. Duhet të jenë të tjerët ta gjykojnë këtë gjë. Sigurisht që është bukur. Të luash në kombëtare është gjithmonë diçka speciale, kur arrin objektiva me fanellën e vendit ka një shije speciale. Kam vitet që luaj me Zvicrën dhe e shijoj shumë.
E ndien që pritshmëritë për Zvicrën janë rritur gjithmonë?
Është e qartë që kur kualifikohesh gjithmonë në çerekfinalet e kompeticioneve njerëzit kërkojnë gjithnjë e më shumë. Ne do të shkojmë në Europian të përqendruar dhe të motivuar. E dimë që aty gjithçka nis nga zero dhe kundërshtarët janë të fortë.
Tek Interi e keni vendin më të sigurt sesa në kombëtare. Ku është situata më e mirë për një portier?
Konkurrenca është normale dhe është pjesë e lojës. Prej vitesh unë jam pjesë e kombëtares dhe nuk shqetësohem. Fokusi im është që të përgatitem sa më mirë për Europianin e Gjermanisë. Tek Interi është një situatë ndryshe pasi hierarkia është e qartë sepse dihet kush është portieri i parë, i dytë dhe i tretë. Por sigurisht që është fusha e lojës ajo që të jep atë që meriton.
Jeni befasuar nga forca e Interit?
Praktikisht nuk humbisni kurrë. I surprizuar do të thosha jo, edhe pse në sezonin e fundit shkoi deri në finalen e Ligës së Kampionëve. Unë e kisha parë skuadrën dhe kuptohej çfarë kualiteti kishte dhe çfarë trajneri ishte Inzagi. Po prisja me padurim momentin për të nisur këtë aventurë, por pa i shtuar shumë presionin vetes. Thashë: “Ok, po shkoj në një skuadër të madhe italiane dhe europiane, një skuadër e bashkuar që e di forcën e saj”. Për një portier është bukur të shkosh në një realitet të ri dhe të shohësh sa kompakte është skuadra dhe sa e fortë. Është bukur të luash me Interin.
Duket se e keni arkivuar eliminimin nga Champions-i. Në Serinë A keni një avantazh të thelluar kundër skuadrave të tjera. Cila është sfida juaj tani?
Sigurisht që objektivi parësor është të fitojmë kampionatin. Në javët e mbetura kemi ndeshje shumë të vështira. Do të provojmë të arrijmë maksimumin e pikëve, por askush nuk do të na bëjë dhurata. Të gjitha ndeshjet janë dhe do të jenë të vështira. Pastaj të shohim nëse do të arrijmë të thyejmë ndonjë rekord, por në fillim duhet menduar vetëm titulli. Edhe për faktin se asgjë nuk është e sigurt. Duhet të vazhdojmë kështu, sepse më e bukura nuk ka ardhur ende.
PANORAMASPORT.AL