Studentë dhe qytetarë zhvilluan sot tubimin e radhës protestues në kryeqytet, i cili nisi rreth orës 14:00 para godinës së Ministrisë së Arsimit. Ky reagim vjen në vijim të protestave të nisura prej disa javësh, ku pjesëmarrësit rikonfirmuan kërkesat e tyre kryesore, të cilat përfshijnë largimin e klasës së vjetër politike, dorëheqjen e kreut të qeverisë dhe sigurimin e kushteve dinjitoze për të ardhmen e të rinjve në vend.
Gjatë tubimit, pjesëmarrësit bënë të qartë vendosmërinë e tyre për të vijuar reagimin qytetar, duke e cilësuar largimin e kreut të ekzekutivit si një “kërkesë të panegociueshme” dhe duke theksuar se “protesta nuk do të ndalet”.
Nga ana tjetër, kryeministri Edi Rama u ka drejtuar më herët ftesa për dialog protestuesve, të cilat janë refuzuar nga këta të fundit. Së fundmi, kreu i qeverisë zhvilloi një takim me disa grupe të rinjsh, ku sqaroi qasjen e tij duke u shprehur se ai “dialogon me studentët, jo me ata që përdorin gurët në protestë”.
Situata para Ministrisë së Arsimit u shoqërua me prani të shtuar të forcave të rendit, si dhe me vendosjen e autobotëve me ujë. Efektivët e policisë ndërhynë për të mos lejuar bllokimin e qarkullimit rrugor në Rrugën e Durrësit. Pas qëndrimit para ministrisë, turma vijoi marshimin në rrugët e Tiranës.
/rtsh.al/