Kur kanë mbetur vetëm edhe katër ndeshje deri te përfundimi i këtij edicionit garues në Ligën e Parë të futbollit, klubi që vuri themelet e tij vetëm vitin e kaluar KF Suhareka është shumë afër ta sigurojë titullin e kampionit dhe rrjedhimisht inkuadrimin historik në Superligën e Kosovës.
Ndeshja e radhës ndaj Vëllaznimit këtë të diel do të jetë e rëndësishme drejt këtij objektivi, gjë të cilën e thotë edhe vetë trajneri Arsim Thaçi.
“Na pret një ndeshje e vështirë në vikend me Vëllaznimin, një ekip që ka treguar që është i papërshtatshëm për ekipin tonë. Dy ndeshjet e kaluara i kemi humbur me Vëllaznimin dhe presim në këtë ndeshje të reagojmë më ndryshe nga ato lojëra dhe fitorja me Vëllaznimin besoj që na jep një komoditet sa i përket ndeshjeve në vazhdim. Kuptohet që diferencën e kemi bërë në fitoret që i kemi me rivalët direkt, sidomos me Trepçën ’89 që e kemi mposhtur në këtë sezon edhe në Mitrovicë edhe këtu, dhe duke u bazuar janë cilësitë që ne i kemi besoj shumë që edhe këtë ndeshje do ta kalojmë si ndeshjet e kaluara me fitore, në mënyrë që të shkojmë me hapa të sigurt drejt titullit”, tha Thaçi.
Duke folur, Thaçi ka treguar edhe për pikat e forta të skuadrës së tij falë rezultateve të mira.
“Pika kryesore është dëshira e aksionarëve për të investuar në klub, korrektësia e tyre për t’i kryer të gjitha obligimet që kanë marrë sa i përket lojtarëve. Pjesa tjetër është niveli i lojtarëve në skuadër që përveç sezonit të kaluar që kemi pasur disa lojtarë cilësorë normal edhe këtë sezon i kemi përmbushur ato zbrazëti që i kemi pasur dhe tani kemi një ekip shumë kompakt, shumë cilësore dhe profesionale sidomos me pjesën e karakterit që duhet ta karakterizojë një skuadër e cila dëshiron të ketë sukses dhe ne e kemi atë pjesë”, theksoi Thaçi.
Madje, teksa flet për stabilitetin e këtij klubi, Thaçi nuk e ka fshehur aspak dëshirën dhe gatishmërinë e tij që ai të jetë trajner i Suharekës edhe për sezonin e ardhshëm.
“Unë jam optimist që do të jem edhe vitin e ardhshëm me ekipin e Suharekës duke e parë atë besimin që ka krijuar klubi në raport me mua dhe lojtarët dhe besoj që në ketë drejtim nuk do të ketë ndonjë pengesë. Nëse gjërat shkojnë sipas planit dhe atyre gjërave që atëherë normal që së bashku do të vazhdojmë edhe vitin e ardhshëm”, bëri të ditur Thaçi.
Kapiteni i skuadrës, Ylli Hoxha ka thënë se Suhareka ka arritur këtë seri pozitive të rezultateve në kampionat vetëm për shkak se ka një grup të lojtarëve cilësorë dhe me përvojë të madhe në futbollin kosovar.
“Është një çelës zinxhir mund të themi që nga kryesia, stafi, lojtarët, por jemi një grup shumë i fortë, një grup i shëndosh dhe normal që kemi individë që kanë shumë eksperiencë në futbollin kosovar dhe mendoj që grupi është çelësi kryesor i suksesit”, theksoi Hoxha.
Njëri nga lojtarët më me përvojë në radhët e Suharekës, Mevlan Zeka, shprehet i bindur se skuadra do ta sigurojë inkuadrimin në elitën e futbollit kosovar, pasi, siç thotë ai, lojtarët kanë sakrifikuar jashtëzakonisht shumë gjatë gjithë sezonit.
“Ne jemi mobilizuar, sidomos këto katër ndeshjet e fundit që janë edhe vendimtarë për inkuadrimin në Superligë edhe Vëllaznimi ka një bilanc pozitiv ndaj nesh që ka shënuar dy fitore, por besoj që të dielën ne do t’i bashkojmë të gjitha forcat ta fitojmë ndeshjen dhe pasi ka ardhur fundi i kampionatit ne të inkuadrohemi në Superligë, sepse vërtet gjatë gjithë sezoni kemi sakrifikuar jashtëzakonisht shumë”, tha Zeka.
Momentalisht Suhareka ka 47 pikë në vendin e parë të Grupit A, e ndjekur nga Trepça ’89 me pikë.