Skuadra e Malishevës ka arritur një sukses historik duke siguruar pjesëmarrjen në garat evropiane për të tretën herë radhazi, por oreksi i tyre nuk përfundon me kaq.
Pavarësisht se e kanë të garantuar vendin e tretë në tabelë, trajneri Bylbyl Sokoli dhe futbollistët paralajmërojnë se nuk do të bëjnë asnjë lëshim në ndeshjen e ardhshme kundër Llapit, një përballje që mund të jetë fatale për llapjanët në luftën për mbijetesë.
Duke folur për KosovaPress, u shpreh i kënaqur me arritjen e objektivit për sigurimin e pjesëmarrjes në garat evropiane, duke theksuar se skuadra do të vazhdojë të luftojë maksimalisht edhe në dy xhirot e mbetura të kampionatit.
“Kemi edhe dy xhiro, dy ndeshje të rëndësishme, për të cilat ne po vazhdojmë përgatitjet. Dhe pasi të përfundon kampionati, ne pastaj do t’i bëjmë analizat dhe të shohim sa kemi qenë të suksesshëm. Jemi të kënaqur me arritjen e synimit se Malisheva ka siguruar pjesëmarrjen në Evropë. Për të cilën gjë, thashë, janë më të merituar futbollistët…Të gjithë janë të merituar. Dhe pasi të përfundojnë këto dy xhiro, do të shohim sa kemi qenë të suksesshëm, sepse dy xhiro matematikisht kemi mundësi me lëvizur edhe për një pozitë më të lartë apo të mbesim këtu ku jemi. Dhe këto janë synimet tona. Pasi ta analizojmë kampionatin mund të themi sa kemi qenë të suksesshëm”, tha fillimisht Sokoli.
Duke folur për përballjen e radhës ndaj Llapit, Sokoli theksoi se ekipi i tij do të hyjë në fushë me qasjen e njëjtë si në çdo ndeshje tjetër, duke synuar maksimumin.
“Nuk mendoj se ne do t’i shkaktojmë dikujt humbje të dhimbshme. Ne do të luajmë një ndeshje, si çdo ndeshje tjetër që kemi zhvilluar. Në çdo ndeshje kemi hyrë për fitore, në çdo ndeshje e kemi dhënë maksimumin. Edhe kjo ndeshje me Llapin nuk ndryshon asgjë prej ndeshjeve të tjera. Do të jetë ndeshje ku ne do të mundohemi prapë me e dhënë të gjithë maksimumin. Dhe kush në cilën pozitë është, neve aspak nuk na merret, as unë nuk merrem. E jona është me e dhënë maksimumin për ekipin që përfaqësojmë, për qytetin që përfaqësojmë, për ngjyrat që përfaqësojmë, dhe kjo është e tëra”, u shpreh Sokoli.
Kapiteni i Malishevës, Dren Kryeziu, tha se skuadra do të udhëtojë drejt ndeshjes me Llapin me synimin për të marrë tri pikët.
“Normal, si çdo ndeshje ne shkojmë për fitore, si çdo lojë tjetër, e kemi dhënë maksimumin dhe besoj që kemi kualitet dhe do të dalim me fitore prej aty”, deklaroi Kryeziu.
Mesfushori Etnik Bruti theksoi se objektivi i ekipit mbetet vendi i dytë në tabelën e Superligës.
“Ne do të shkojmë, po punojmë çdo ditë që në fund të jemi në vendin e dytë, që të jemi nënkampion. Kështu që do t’i japim maksimumin secili prej nesh, çdo lojtar edhe stafi janë në atë punën maksimum që në fund t’i kemi tre pikë që në fund besoj që të jemi nënkampion”, theksoi Bruti.
Edhe futbollisti Donart Vitija potencoi se Malisheva do të luajë vetëm për fitore në duelin e radhës ndaj Llapit, me synimin për ta mbyllur sezonin sa më lart në renditje.
“Po gjithsesi, ne do të shkojmë të luftojmë për fitore, veç për tre pikë. E dimë që e kemi siguruar vendin e tretë por dëshirojmë që të dalim në vend të dytë. Edhe shkojmë për maksimumin me e marrë atë fitore”, deklaroi Vitija.
Fati i Llapit mbetet tashmë në fije të perit, ndërsa Malisheva duket më e motivuar se kurrë për të mos bërë dhurata në xhirot e mbetura të Superligës, derisa kjo ndeshje zhvillohet të dielën.