Skuadra e Ballkanit dje ka marrë një humbje të turpshme në stadiumin “Zahir Pajaziti” në Podujevë – pasi u mposhtën në penallti nga Santa Coloma, për t’u eliminuar nga kualifikueset e Ligës së Kampionëve, që në raundin e parë.
Trajneri i njohur kosovar, Tahir Lushtaku e cilëson këtë humbje si turpëruese dhe që dhemb për të gjithë futbollin vendor.
Ai potencon se kjo humbje ka lënë shenj të keqe në futbollin e Kosovës, por më së shumti tek Ballkani.
“Realisht është një humbje që dhemb, jo veç Ballkanit, por në përgjithësi futbollit dhe klubeve të Superligës, sepse e dimë potencialin dhe sukseset e Ballkanit gjatë këtyre tri viteve, ndërsa ka pas të bëjë me një kundërshtar për mendimin tim, një prej më të dobëtit, një ekip nga Andorra që normalisht është humbje e turpshme, deshtëm apo s’deshtëm, por ky është futbolli, i cili sot po evoluon dhe ne pak po merremi më shumë në studio sepse futbolli ka ndryshu dhe po ndryshon, e dimë se Ballkani ka bë ndryshime tek lojtarët, ndoshta edhe trajneri është qe disa vite dhe kështu mendoj që është humbje e dhimbshme, turpëruese dhe që ka lënë shenjë të keqe për futbollin vendor, kryesisht për FC Ballkanin”, tha fillimisht Lushtaku për ‘GazetaBlic Sport’.
Më pas Lushtaku thotë se ka edhe pak vetkënaqësi tek klubi i Ballkanit dhe poashtu u pa një nënçmim i tepërt nga të gjithë ndaj Santa Colomas.
“Ka shumë faktorë që kanë ndiku, sepse Ballkani ka arrit tri herë të shpallet kampion dhe të ketë sukses në garat evropiane, ndoshta ka qenë edhe një vetkënaqësi nga vet klubi, apo një nënçmim i tepruar nga të gjithë, lojtarët, stafi dhe të tjerët dhe normalisht rrjedha e lojës, pavarësisht se mbeti me 10 lojtarë shumë herët – mendoj se Ballkani është dashtë të kalojë këtë raund”, vazhdoi Lushtaku.
Në fund, trajneri kosovar tha se Ballkani nuk është më siç ka qenë dhe se ndoshta këtë vit mund t’i largohet edhe Daja.
“Kanë ndiku edhe ndryshimet e shumta tek Ballkani, sepse kur bën shumë ndryshime është e vështirë që të kapet forma apo moduli siç e aplikon lojën ekipin, por siç duket aty ka edhe diçka tjetër, ndoshta klubet kosovare janë mësuar t’i ndërrojnë shpesh trajnerët për shkak të jo seriozitetit dhe jo profesionalizmit, edhe tek Ballkani duket se Ilir Daja edhe pse e ka dëshmu veten, ky vit do jetë një vit se do shihet se a do të vazhdojë suksesin e viteve të fundit, apo do jetë viti i fundit që ndoshta vet Daja do të kërkojë të largohet nga Ballkani. Nuk besoj se është ai Ballkani i vjetër, po shihet edhe sivjet se është më i dobët dhe kjo është një prej arsyeve që e ka humb këtë ndeshje që na befasoi krejtve”, përfundoi ai.
Ballkani tani do vazhdojë aventurën në raundin e dytë të UEFA Conference League, ku do të ndeshet me Hamrun Spartans nga Malta.
/GazetaBlic Sport