Ksavi Hernandez u shfaq përpara media ve për të vlerësuar ndeshjen e sotme kundër Shahtjor Donjetskut. Trajneri i Barcelonës, i cili paralajmëroi se ekipi ukrainas është një kundërshtar më i vështirë nga sa duket, u ndal të komentonte edhe “El Clasico”-n e së shtunës në “Montjuïc” dhe shtoi se Ançeloti ka të drejtë kur thotë se nuk mund të flitet për arbitrat për shkak të rrezikut të sanksioneve.
“Ndeshja me Shahtjorin do të jetë vendimtare. Janë pikë vendimtare për objektivin për të shkuar në fazën e 1/8-ave. Ata janë një skuadër e vështirë, dinamike, rival i fortë. Ata nuk kanë frikë, luajnë me gëzim dhe në sulm. Ne jemi të paralajmëruar. Nëse mendojmë se është e lehtë, atëherë do të ekzistojë mundësia për të na mundur”.
REALI – Trajneri katalanas paralajmëroi gjithashtu se Barcelona nuk mund ta përdorë krizën e dëmtimeve dhe ndeshjen e tyre të ardhshme në La Liga kundër Realit të Madridit si justifikim për një paraqitje të dobët në sfidën e Champions-it kundër ukrainasve.
Ata kryesojnë Grupin H me 6 pikë pasi i kanë fituar dy ndeshjet e para pa pësuar gol. Portugezët e Portos janë të dytët me tri pikë dhe renditen përpara Shahtjorit të vendit të tretë prej diferencës së golave. Në La Liga, kampionët e Barcelonës janë të tretët, pas liderit Real dhe Gironës së vendit të dytë me një pikë.
“Tri pikët kundër Shahtjorit janë kyçe për objektivin tonë. Kjo është Liga e Kampionëve, gara më e madhe për klubet dhe për ne është shumë e rëndësishme të marrim nëntë pikë nga nëntë të mundshme. Nuk kam nevojë t’ia heq mendjen askujt nga ndeshja e së shtunës kundër Realit të Madridit, sepse Liga e Kampionëve të bën të fokusohesh dhe të ndez… Ne nuk mund të humbasim përqendrimin”.
Katalanasit po përballen gjithashtu me lëndime të disa lojtarëve të ekipit të parë, duke përfshirë Robert Levandovskin, Serxhi Roberton, Zhyl Kundenë, Frenki de Jongun dhe Pedrin.
“Unë mbetem optimist se disa prej tyre do të jenë në ndeshjen e së shtunës (kundër Realit),” tha Ksavi.
“Pedri po vjen ashtu siç menduam. Do ta vlerësojmë ditë pas dite. Ne duam të përpiqemi të shmangim një ripërsëritje të dëmtimit, kështu që duhet ta trajtojmë me kujdes. Ne kemi shumë lojtarë jashtë, por ky nuk është një justifikim. Skuadra mund të rivalizojë, të luajë futboll të mirë dhe të fitojë. Stili nuk do të ndryshojë aspak.
Mendoj se Ançeloti ka të drejtë për arbitrat. Nëse ti flet, ata të dënojnë me dy ndeshje. Jam dakord me të për këtë pjesë. Mes Realit dhe Barcelonës ka harmoni mes klubeve. Tensioni nuk sjell asgjë të mirë. Është një rivalitet pozitiv, por ka edhe respekt dhe admirim gjithashtu. Është vetëm një ndeshje futbolli. Ne jemi të fokusuar te ndeshja”.
Përgatiti: JETON STAMOLLA – PANORAMASPORT.AL