Pas trajnerit të PSG-së, Luis Enrique-s, në konferencën për media, një ditë para duelit PSG-Dortmund, ka dalë edhe homologu i Enrique-s, Edin Terzic.
Parisienët dhe Dortmundi do të ndeshen nesër mbrëma në ‘Parkun e Princave’ në ndeshjen kthyese të gjysmëfinales së Ligës së Kampionëve.
Sfida e parë mes këtyre dy skuadrave e zhvilluar një javë më parë, ishte mbyllur me fitoren minimal të Dortmundit prej 1-0.
Tekniku i ‘Milionerëve’ të Gjermanisë, thotë se skuadra e tij është gati të bëjë gjithçka për të fituar një vend në finalen e madhe të garës elitare në Evropë.
“Kjo PSG u ndërtua disa vite më parë për të fituar Champions-in. Ata fituan titullin kombëtar. Tani është misioni i tyre, por edhe ne kemi një ëndërr dhe duam ta bëjmë realitet. Nëse është e nevojshme, nesër do të vrapojmë më shumë se 20 kilometra”, ka thënë Terzic.
“Nëse kemi arritur deri këtu, duam të bëjmë edhe më mirë dhe të shkojmë deri në fund për të fituar titullin. Kemi një ëndërr të madhe dhe mezi presim ta realizojmë atë”, ka pohuar ai.
Ndeshja PSG-Dotmund fillon në orën 21:00.