Egnatia ka fituar përballë Dinamos në ndeshjen e vlefshme për javën e 35-të të “Abissnet Superiore”.
Sfida e zhvilluar në stadiumin “Elbasan Arena”, përfundoi me rezultatin 0-1 në favor të rrogozhinasve.
Me këtë fitore, Egnatia e mbyll sezonin zyrtarisht në vendin e parë, pavarësisht se është edhe 1 javë për t’u luajtur.
Pas kësaj sfide, ka folur trajneri i Egnatias, Edlir Tetova.
“Mendoj se ndeshja ishte me dy tabllo. Një pjesë e parë shumë mirë e kontrolluar. Më pas, në pjesën e dytë kishim më shumë presion, nuk e di pse. Nuk po fillonim lojën nga poshtë edhe për faktin se portieri nuk ndihej mirë”, është shprehur fillimisht Tetova.
Disavantazh për ju në Final 4 hapësirat që lini, pasi Dinamo kishte raste shënimi?
“Nuk mendoj diçka të tillë. E kishim siguruar këtë pjesë, është edhe 1 ndeshje. Lojtarët nuk duhet të sforcohen në këto ndeshje pasi na pret finalja e Kupës dhe më pas Final 4. Nuk mundet që një ekip mos të ketë vazhdimësi gjatë 90 minutëshit pasi mund të pësosh gol”.
Pjesën e dytë mendon se do ju ndihmojë si trajner?
“Patjetër, pasi ne bëmë 2-3 ndeshje me lojtar me karton të kuq dhe kemi ruajtur rezultatin. Në 4 ndeshje kemi pësuar gol në 93 dhe plus, por është eksperiencë e jona që jemi përmirësuar”.
A ke forca bashkë me skuadrën për ti sulmuar këto 3 ndeshje?
“Forcat janë. Sot kishim Ramën dhe Spahiun, nuk duhet t’i rrezikonim. Kishin kontraktim të lehtë, dihej prej vapës pasi temperaturat ishim shumë të larta. Nuk doja t’i rrezikoja sot për t’i pasur në vazhdim”.
Partizani rivali më i fortë?
“Të 3-ja ekipet dhe i katërti që do të vijë, janë të gjithë të fortë”.