Teuta ka marrë një fitore shumë të rëndësishme ndaj Dinamos, në ndeshjen e prapambetur të javës së parë, duke treguar se po kalon një moment të ringjalljes.
Ndeshja nisi e hapur, me të dyja skuadrat që kërkonin golin, por Dinamo ishte më insistuese, sidomos pasi durrsakët mbetën me 10 lojtarë pas përjashtimit të hershëm të Vidal. Megjithatë, ishin vendasit ata që shënuan të parët: pas një goditjeje nga këndi, Kotobelli e dërgoi topin në rrjetë duke i dhënë epërsinë Teutës.
Pas golit, durrsakët u tërhoqën pas dhe u mbrojtën me disiplinë, ndërsa Dinamo shtoi presionin në kërkim të barazimit. Rastet nuk munguan, por portieri Selmani dhe mungesa e saktësisë i lanë kryeqytetasit pa gol. Në pjesën e dytë, ekuilibri numerik u rikthye pas kartonit të kuq për Nanin, por edhe pse Dinamo dominoi në sulm, nuk arriti të gjente rrjetën.
Sfida u mbyll me rezultatin 1-0 për Teutën, që falë një gjuajtjeje të vetme në kuadrat arriti të siguronte tri pikë të vlefshme dhe të ngjitej më lart në renditje.