Ndeshjet e kombëtareve vijnë në momentin më të mirë të Interit dhe Milanit. Dy skuadrat e Milanos komandojnë Serinë A me pikë të barabarta e për gola të shënuar. Zikaltrit nuk kanë pësuar ende asnjë gol në këtë kampionat dhe synojnë të zgjasin ecurinë edhe ndaj “djallit”.
Teksa na ndajnë edhe dhjetë ditë nga “Derbi i Madoninës”, Simone Inzagi dhe Stefano Pioli bëjnë llogaritë e tyre. Interi i ka huazuar 17 futbollistë nëntë kombëtareve të ndryshme. Nga tre lojtarë për skuadër ka marrë vetëm Franca, teksa Italia e Spaletit mbështetet në një bllok prej gjashtë zikaltrish e asnjë milanisti.
Edhe Holanda jep kontributin e saj me tre lojtarë të rrëmbyer përpara derbit, por në fillimin e sezonit dhe me një nisje kaq të fuqishme, ishte e kuptueshme që lojtarët e milanezëve do të tërhiqnin vëmendjet e trajnerëve të kombëtareve përkatëse.Lautaro dhe Kuadrado, ata që do të udhëtojnë më shumë e që rrezikojnë të vijnë të sfilitur nga udhëtimet përtej oqeanit.
Problem i ngjashëm në lidhje me Pulsiçin dhe Musahun për Piolin. Të gjithë elementët e tjerë në të dyja skuadra do të luajnë në Europë dhe nuk do të vonohen, por shqetësimet lidhen edhe me dëmtimet. Milani e ka pësuar sistematikisht në ndeshjet që kanë ardhur pas ndalesave të kombëtareve dhe Pioli po bën llogaritë edhe më këtë fakt.
PANORAMASPORT.AL