Trajneri i Malishevës, Thomas Brdaric, ka dalë në konferencë për media para ndeshjes së kthimit ndaj Vllaznisë, e vlefshme për eliminatoret e UEFA Conference League.
Skuadra kosovare do të kërkojë përmbysjen e rezultatit nga ndeshja e parë, e cila u zhvillua në Shkodër dhe përfundoi me fitoren e Vllaznisë me rezultat 2:1, shkruan Indeksonline
Brdaric ka shprehur besimin se Malisheva mund të arrijë rezultat pozitiv në ndeshjen e kthimit dhe të vazhdojë aventurën evropiane.
“Ne jemi të bindur që mund të fitojmë këtu, në Kosovë. Përgatitjet ishin të duhura. Kemi gjithçka që na duhet, jemi përgatitur mirë në stërvitje”, ka deklaruar Brdaric.
Trajneri gjerman ka theksuar se skuadra e tij duhet të reagojë pas ndeshjes së parë dhe të përmirësohet në detajet që mund të vendosin fatin e përballjes.
“Ne duhet të përgatitemi dhe të përmirësohemi si ekip, kjo është detyra jonë. Nuk duhet të jemi të dëshpëruar nga humbja, por të mësojmë shpejt. Kemi bërë analizë dhe kemi punuar në disa aspekte. Është proces dhe e shohim si një mundësi për t’u rritur”, tha ai.
Duke folur për kundërshtarin, Brdaric vlerësoi traditën dhe cilësinë e Vllaznisë.
“Vllaznia është një skuadër me shumë traditë, kanë ekip të mirë. E marrim shumë seriozisht dhe me shumë respekt, por edhe ne kemi një ekip shumë të mirë”, u shpreh trajneri i Malishevës.
Në fund, ai falënderoi Federatën e Futbollit të Kosovës për mbështetjen që ndeshja të zhvillohet në Hajvali dhe kërkoi përkrahjen e tifozëve.
“Faleminderit FFK-së që po na ndihmon që të luajmë në Hajvali. Duam përkrahjen e të gjithëve këtu. Ne jemi nga Kosova dhe duhet ta përkrahim njëri-tjetrin”, përfundoi Thomas Brdaric.
Malisheva do të synojë përmbysjen e humbjes 2:1 nga ndeshja e parë në Shkodër, për të siguruar kalimin në fazën tjetër të eliminatoreve të UEFA Conference League.