Zlatan Ibrahimoviç po përpiqet që të ndërtojë nga e para Milanin që kërkon trajneri Fonseka, Por ndërsa të gjithë presin që ai të shfaqet përkrah Alvaro Moratës si blerja e re e klubit, më përpara Ibra ka dashur të zgjidhë disa çështje familjare, si për shembull t’i gjejë vend në radhët e Milanit të birit.
Klubi kuqezi ka bërë të ditur se djali i ish-sulmuesit suedez, Maksimilian Ibrahimoviç, ka nënshkruar sot kontratën e tij të parë si profesionist. Sulmuesi i datëlindjes 2006, do të bashkohet me ekipin Milan Futuro, skuadrën e dytë që kanë krijuar kuqezinjtë, e cila do të luajë në Grupin B të Serisë C.
Maksimilian ishte bërë pjesë e Milanit që në vitin 2022, duke u regjistruar në akademinë e kuqezinjve. Tani, atij i është dhënë mundësia që të bëhet pjesë e ekipit të dytë të kuqezinjve dhe të luajë mes profesionistëve, ku do të ketë detyrën më të vështirë të mundshme, atë të vërtetimit se nuk ka ardhur aty vetëm falë mbiemrit që mban.
PANORAMASPORT.AL