Roi Kin u sulmua nga një tifoz brenda sta diumit “Emirates” të dielën, teksa po shkonte për të kryer detyrat e tij si komentator i “Sky Sports” në fushë pas ndeshjes Arsenal-Mançester Junajtid.
Ish-kapiteni i “djajve” u përball me një burrë në ashensorin e tribunës perëndimore të “Emirates”, teksa priste për të zbritur në fushë bashkë me kolegët e tij, i cili është parë nga dëshmitarët, ndërsa e godet me kokë 52-vjeçarin.
Dhe në një video që po qarkullon në rrjet, irlandezi duket i tronditur, ndërsa kolegu i tij, Mikah Riçards, shihet ndërsa neutralizon tifozin, duke e mbështetur me shpatulla pas muri. Personi, i cili u arrestua ditën e hënë nga policia dyshohet se tentoi një goditje me kokë të Kinit, por arriti ta prekë atë në kraharor dhe mjekër, pasi u pengua nga ish-mbrojtësi i Mançester Sitit, Riçards. Megjithatë, ai arriti të largohej përpara se të mbërrinin rojet e sigurisë, duke u identifikuar dhe arrestuar një ditë më vonë nga policia.
Incidenti ndodhi pak pasi Alehandro Garnaço dukej se kishte fituar ndeshjen për “djajtë” me golin në minutën e 88-të, i cili u anulua nga VAR-i. Kin dhe Riçards vijuan detyrën e tyre në rolin e opinionistëve normalisht pas ndeshjes. Por dëshmitarët thanë se Kin ishte i tronditur nga incidenti. Mëngjesin e së hënës, “The Sun” shkoi dhe e fotografoi në shtëpinë e tij, ndërsa Kin u përpoq t’u shmangej paparacëve duke mbuluar edhe kokën.
Televizioni “Sky Sports” po mendon që të rrisë sigurinë rreth opinionistëve pas këtij incidenti, në mënyrë që të mos ketë më situata të tilla të pakëndshme. Kin ka pasur një rivalitet të ashpër gjatë karrierës së tij si futbollist me “topçinjtë”, ndërsa ai e kritikon shpesh skuadrën e Artetës, të cilën nuk e shikon si një rivale të denjë të Mançester Sitit në garën për titull në Angli.
Micah Richards and Roy Keane beefing someone 😂😂😂 pic.twitter.com/8ZruKZLK8A
— george (@StokeyyG2) September 3, 2023
Përgatiti: ANDROKLI DRALO – PANORAMASPORT.AL