Saturday, 22. August 2026
Sport

Tragjedi në futboll: Ish-lojtari i West Bromwich, Quevin Castro, vdes në moshën 25-vjeçare

GS 22/08/2026 2 Min. Lesezeit

Një tragjedi ka tronditur futbollin. Quevin Castro, ish-futbollisti i West Bromwich Albion, ka ndërruar jetë në moshën vetëm 25-vjeçare pasi u rrëzua në fushë gjatë një ndeshjeje miqësore në Portugali.

Castro ishte duke luajtur për Real Sport Clube (Real Massamá) në përballjen miqësore ndaj Estrela da Amadora, kur në minutën e 10-të të takimit u rrëzua pa ndjenja në fushën e lojës, transmeton lajmi.net.

Ekipet mjekësore të të dyja skuadrave reaguan menjëherë. Një mjek i Estrela da Amadora tentoi ta reanimonte futbollistin dhe përdori edhe defibrilatorin, ndërsa në vendngjarje u thirr shërbimi emergjent INEM. Pavarësisht ndërhyrjeve, Castro u transportua në spital, ku më pas u konstatua vdekja e tij, transmeton lajmi.net.

Lajmi u konfirmua edhe nga Real Sport Clube, i cili përmes një reagimi shprehu pikëllimin për humbjen e futbollistit.

“Quevin Castro ishte shumë më tepër se një lojtar, ishte pjesë përbërëse e familjes sonë dhe la gjurmë të pashlyeshme te të gjithë ata që e njohën, brenda dhe jashtë fushës”, thuhet në reagimin e klubit.

Edhe Estrela da Amadora, skuadra kundërshtare në ndeshjen ku ndodhi tragjedia, ka shprehur ngushëllime për familjen dhe bashkëlojtarët e Castro-s. Ndeshja u ndërpre pas ngjarjes tragjike.

Castro, i lindur në Portugali dhe i rritur në Angli, kishte ndërtuar pjesën më të madhe të karrierës në futbollin anglez. Ai iu bashkua West Bromwich Albion në vitin 2021 dhe pati paraqitje me ekipin e parë në Championship dhe në Kupën e Ligës angleze.

Mesfushori kishte kaluar gjithashtu në disa klube të tjera angleze, përfshirë Burton Albion, Notts County, York City dhe Eastbourne Borough, ndërsa gjatë karrierës kishte pasur edhe prova te akademitë e Chelsea dhe Arsenal.

Castro ishte rikthyer në futbollin portugez këtë verë për t’iu bashkuar Real Massamá. Më 16 gusht kishte festuar ditëlindjen e 25-të.

Vdekja e papritur e futbollistit ka shkaktuar pikëllim të madh në komunitetin sportiv, ndërsa klubet ku ai kishte luajtur kanë shprehur ngushëllime për familjen dhe të afërmit e tij./lajmi.net/

Teilen: