Tuesday, 29. September 2026
Sport

Trepça e Bashkimi synojnë Superkupën

GS 29/09/2026 1 Min. Lesezeit

Më në fund, Trepça dhe Bashkimi, do të përballen për trofeun e parë të këtij sezoni në basketbollin kosovar.

Finalja e Superkupës së Kosovës, luhet sot nga ora 19:00 në palestrën “Mizahir Isma” në Rahovec, ku pritet një atmosferë e zjarrtë.

Të dyja skuadrat synojnë triumfin në këtë finale, e cila është dashur të zhvillohet para dy javësh por që është shtyrë për shkak të kërkesës nga ana e organizatorit.

Në fakt, finalja e Superkupës së Kosovës paralajmëron derbin mes Bashkimit dhe Trepçës, që do të përballen këtë vikend në kuadër të Superligës.

Pas dy xhirove të zhvilluara në sezonin e ri, Bashkimi është në moment më të mirë se Trepça pasi ka fituar dy ndeshjet e para.

Ka mposhtur Golden Eagle Yllin dhe Rahovecin 029, ndërsa Trepça pas fitores ndaj Rahovecit 029, u mposht në shtëpi nga skuadra e Pejës.

Trepça ka qenë skuadra që vitet e fundit ka dominuar në basketbollin kosovar, duke fituar tri herë rresht titullin e kampionit, pesë herë rresht Kupën e Kosovës dhe dy Superkupat e fundit.

Teilen: