U bënë 7, deri në fund të aventurës së tij në stolin e Liverpulit, mund të bëhen 10. Jyrgen Klop shijon një tjetër trofe në stolin e “reds”- ave, atë të Kupës Karabao, ndërsa tani që e di që në verë do të largohet pas 9 vitesh nga “Anfield”, çdo sukses bëhet edhe më emocional.
Lamtumira perfekte për trajnerin gjerman ka nisur, ndërsa ai nuk i fshehu as lotët gjatë festimeve. Ai e ka fituar këtë trofe dy herë: vetëm Bob Peisli (3) e ka bërë më shumë në stolin e Liverpulit.
“Ajo që ndodhi kështu është absolutisht një çmenduri, këto gjëra nuk janë të mundura. Jam shumë krenar për këtë skuadër dhe akademi. Gjëja më e çmendur është që ne e merituam. Patëm momentet e tona të fatit, po ashtu edhe Çelsi. Na duhej të aktivizonim të gjithë skuadrën. Lojtarët e akademisë kanë këmbë të freskëta, por janë ende shumë të rinj. E megjithatë, ata e bënë mirë punën. Ne kemi edhe portierin më të mirë në botë dhe numrin 2 gjithashtu”.
PANORAMASPORT.AL