Xhek Grilish është i bindur se mungesa e tij te skuadra e Anglisë në Kampionatin Europian këtë verë ishte një gabim. Sulmuesi i Mançester Sitit ishte i zhgënjyer dhe nuk u pajtua me vendimin e Garet Sauthgejtit për ta hequr atë nga lista e udhëtimit për në Gjermani.I rikthyer në kombëtare nga trajneri i përkohshëm i Anglisë, Li Karslej, muajin e kaluar, Grilish ndihet i çliruar në formacionin e ri të kombëtares përpara ndeshjes së Ligës së Kombeve të sotme kundër Greqisë.
“Do të jem i sinqertë me ju, nuk isha vërtet dakord me të”, tha Grilish përpara gazetarëve. “Unë mendoj se keni nevojë për një ekuilibër në çdo pozicion në fushë. Ju shikoni disa lojtarë në pozicionin tim, si Fill Foden, Entoni Gordon apo Xharrod Bouen. Ata kanë shënuar shumë gola. Por e di që loja ime nuk ka të bëjë vetëm me golat. Unë i jap shumë më tepër ekipit sesa golat. Unë ende mendoj se, po, duhet të kisha shkuar (në ‘Euro’) por nuk ishte e thënë”.
29-vjeçari pranoi se e kishte të vështirë t’i shikonte ndeshjet e Anglisë nga larg, por thotë se Karslej e ka mbështetur lojtarin që nga emërimi i tij në stolin e “Tre Luanëve”. “Falënderoj menaxherin këtu që më dha këtë mundësi dhe që kishte besim tek unë”, shtoi Grilish, i cili u bë për herë të parë baba këtë javë.
“Kjo me të vërtetë do të thotë shumë për mua. Kur luaj nën menaxherët që tregojnë besim tek unë dhe komunikojnë me mua në mënyrën se si ai e ka bërë në dy kampet e fundit, kjo më ndihmon vërtet. Nuk dua të hyj në atë se cilat janë dallimet më të mëdha (midis Garet Sauthgejtit dhe Li Karslejt), por që kur kam ardhur këtu kam ndjerë shumë dashuri nga menaxheri”.
Ai ka ndërmend që të bëjë edhe një festim të veçantë nëse shënon në këto dy ndeshje: “E kam menduar për të për një kohë, thjesht nuk kam arritur të shënoj akoma. Shënova për Anglinë kundër Irlandës, por në këtë moment po ndodhnin shumë gjëra në kokën time dhe ishte kundër Irlandës (vendi i origjinës së tij) dhe që thjesht e harrova plotësisht. Por herën tjetër do ta bëj”.
PANORAMASPORT.AL