Erik Daier i ka kaluar me sukses të gjitha testet mjekësore te Bajern Mynih, teksa është prezantuar edhe para mediave. Ditën djeshme ai kreu seancën e parë stërvitore si bavarez. Dëshira e mbrojtësit 30-vjeçar, i cili feston sot datëlindjen, u pa që në metrat e parë ku agresiviteti dominoi në tempin e Erikut.
Në zonën e intervistave, Daier u shoqërua nga drejtori sportiv i Bajernit, Kristof Frojnd. “Herri Kejn ka qenë arsyeja specifike përse e kam ndjekur klubin në ndeshjet e muajve të fundit. Sigurisht që është privilegj të mbaj veshur një fanellë kaq të rëndë, njëkohësisht është edhe përgjegjësi. Personi i parë me të cilin komunikova pas interesimit fillestar nga gjermanët ishte Herri Kejn.
Pas zbarkimit në Mynih, ai më ka ftuar në shtëpinë e tij të re, por nuk e di nëse ka vend edhe për mua”, tha mes te qeshurash ishlojtari i Totenhemit. Më tej Daier “kërcënoi” publikisht edhe sulmuesit e kampionëve në fuqi të Bundesligës: “Sapo mbylla stërvitjen me ekipin. I them shokëve të rinj se ditët në vijim do të jem akoma edhe më i ashpër në mbylljen e hapësirave gjatë stërvitjeve.
Fakti që ata janë një nivel tepër i lartë, më motivon më shumë se kurrë. Klubi ka ambicie të mëdha dhe shpresoj se kontributi im do jetë i rëndësishëm në arritjen e rezultateve të dëshiruara”, tha Daier.
PANORAMASPORT.AL