Wednesday, 26. August 2026
Sport

UEFA Futsal Champions League/Tirana triumfon ndaj APOEL

GS 26/08/2026 2 Min. Lesezeit

Tirana në futboll salle e nis me këmbë të mbarë raundin paraeliminator në UEFA Futsal Champions League, që është duke u zhvilluar në sallën olimpike “Feti Borova”. Bëhet fjalë për grupin B, ndërsa Tirana ka fituar me kampionen e Qipros, Apoel, 8-6. Nuk ka qenë një nisje e mirë për Tiranën e Endrit Kacës, ndërsa për dy minuta, me dy goditje të Fagundes, që e gjen të papërgatitur Misinin, pësohen dy gola.

Tirana reagon dhe nëpërmjet Maxharrajt e Selmanajt barazon në 2-2. Edhe një herë Fagundes, por Tirana nuk dorëzohet. Barazon Muça e më pas Limani e Kelmendi në fund të pjesës së parë fiksojnë rezultatin 5-3 për bardheblutë. Apoel zgjedh të luajë që në startin e pjesës së dytë me lojtarin-flutures Kulumbris, që bën edhe portierin, edhe futbollistin.

Por kjo është strategji e gabuar, ndërsa Tirana godet e realizon nga porta në portë. Selmanaj, Alibegu dhe Kelmendi dhe 6-3. Sigurisht që Apoel nuk mund të pajtohet me rezultatin dhe Dos Santos Souza, Tzakidis dy herë ngushtojnë në 6-8. Apoeli e mbyll me një lojtar më pak pas kartonit të kuq të Pereira.

Të enjten Tirana përballë Kardif, kurse Apoeli do të ndeshet me Hjoring, që këtë të mërkurë fitoi 9-2 me kampionen e Uellsit. Për në raundin tjetër kualifikohet e para e grupit, ndërsa Tiranës i duhet shumë punë për të marrë kryesimin e grupit. Megjithatë, hapi i parë është i sigurtë.

Teilen: