UEFA i ka besuar organizmin e një tjetër turneu të rëndësishëm Federatës Shqiptare të Futbollit.
Në muajin nëntor, nën mbikëqyrjen dhe organizimin e FSHF-së do të luhen sfidat kualifikuese të grupit A7, të vlefshme për Kampionatin Evropian U-17 për vajza, ku marrin pjesë përfaqësueset e Bjellorusisë, Suedisë, Danimarkës dhe Greqisë, njofton Federata Shqiptare e Futbollit.
Ndeshjet do të luhen në stadiumet “Niko Dovana” dhe “Elbasan Arena” në datat 7, 10 dhe 13 nëntor të këtij viti. Skuadrat do të mbërrijnë në Shqipëri në datën 6 nëntor dhe do të stërviten në vendin tonë përgjatë periudhës së përcaktuar nga UEFA.
Takimi i parë i turneut do të jetë Suedi – Greqi, që është planifikuar të luhet në orën 11:00, ndërsa po në të njëjtën ditë në orën 14:00 do të zhvillohet edhe ndeshja Bjellorusi – Danimarkë.
Ndeshjet e dyta të turneut zhvillohet më 10 nëntor, me Danimarkën që do të përballet me Greqinë në ora 11:00, ndërsa Suedi – Bjellorusi është programuar të zhvillohet në orën 14:00. Ndeshjet e fundit të turneut do të luhen më 13 nëntor, në të njëjtën orë 11:00.
Greqia do të luajë kundër Bjellorusisë, ndërsa Danimarka do të luajë ndaj Suedisë. Ky është turneu i 8-të që organizohet në Shqipëri nga FSHF në bashkëpunim me UEFA-n.