KB Vëllaznimi ka shënuar fitore rutinore ndaj skuadrës së Istogut në kuadër të xhiros së 27-t të Superligës së Kosovës në basketboll.
Të dielën, Vëllaznimi ka triumfuar thellë ndaj Istogut, të cilin e mposhti me shifrat 97:68, në duelin e luajtur në palestrën “Shani Nushi” në Gjakovë.
Me këtë fitore, Vëllaznimi ka tubuar 39 pikë, sa i ka edhe Bashkimi ndërsa Istogu ka kohë që ka konfirmuar rënien në një kategori më poshtë.
Për Istogun, kjo ishte humbja e 26-të këtë edicion karshi një fitoreje në edicionin e tij debutues.
Më efikasi te Vëllaznimi ndaj Istogut ishte Daniel Lekndrejaj, i cili ndeshjen e mbylli me 31 pikë e 17 kërcime. Tek Istogu më i dalluari ishte Donat Rexhepi me 20 pikë të realizuara.