Wednesday, 2. September 2026
Sport

Vëllezërit Ademi, dy emra të rinj shqiptarë që synojnë majat e boksit profesionist

GS 02/09/2026 4 Min. Lesezeit

Nga Kosova drejt Gjermanisë, me flamurin kombëtar në ring dhe me një synim të madh në horizont: titullin e botës.
Ismet dhe Endrit Ademi janë dy vëllezër shqiptarë që kanë nisur rrugëtimin e tyre në boksin profesionist, duke e bërë të qartë që në hapat e parë se ambiciet e tyre janë shumë më të mëdha se vetëm fitorja e një meçi.

Me fizik të fuqishëm e korpulent, ata pas vetes kanë një eksperiencë të konsiderueshme nga boksi amator. Gjatë kësaj periudhe kanë zhvilluar më shumë se 40 meçe, duke fituar përvojë dhe duke u përballur në ring edhe me boksierë të njohur, për të cilët, siç tregojnë vetë, kanë shërbyer edhe si partnerë sparingu dhe u kanë shkaktuar jo pak probleme.


Kalimi në profesionizëm ka nisur në mënyrën më të mirë të mundshme.

Endrit Ademi ka zhvilluar dy meçe profesioniste dhe të dyja i ka fituar me nokaut, duke dëshmuar fuqinë e goditjeve të tij, veçanërisht me dorën e djathtë. Ai është boksieri më fjalëpak i vëllezërve.
Ndërsa Ismet Ademi ka regjistruar një fitore në ringun profesionist dhe njihet për forcën e dorës së majtë. Nëse Endriti preferon të flasë me grushta, Ismeti nuk e ka problem të flasë edhe jashtë ringut. Ai është më komunikuesi i dy vëllezërve dhe flet hapur për sukseset, kundërshtarët dhe objektivat që kanë vendosur për të ardhmen.


“Qëllimi ynë është të bëhemi kampionë të botës, bashkë me vëllain tim. Ky ka qenë synimi ynë, që prej kur kemi nisur të merremi me boks nga mosha 5-6 vjeçare. Nëse do Zoti, kemi me arrit këtë qëllim”,thotë Ismeti për Tëvë 1.

Por përtej statistikave dhe fuqisë fizike, Ismet dhe Endrit Ademi kanë edhe një motivim të veçantë. Patriotizmi është pjesë e identitetit të tyre sportiv. Në daljet e tyre në ring shfaqen me flamurin kombëtar shqiptar, duke dashur që çdo hap në karrierë të jetë edhe një përfaqësim dinjitoz i shqiptarëve.
Objektivi i tyre është i qartë: të bëhen kampionë bote.

Është ëndrra që ndër vite e kanë ndjekur shumë prej boksierëve të mëdhenj shqiptarë. Tani, të njëjtin synim e kanë vendosur edhe vëllezërit Ademi. Për ta, titulli i botës nuk është thjesht një trofe sportiv, por një qëllim jetësor dhe një mundësi për t’i gëzuar të gjithë shqiptarët.

“Ne jemi shumë krenar, edhe kur ishim amatorë, gjithmonë kemi dalë në ring me flamurin kombëtar. Edhe pse e kishim të ndaluar, kjo nuk na ka ndalë, kemi dashur të tregojmë që jemi shqiptar kudo”.

Ata e lidhin rrugëtimin e tyre edhe me besimin dhe vlerat që mbartin në jetën e përditshme. Të dy janë njerëz fetarë dhe e shohin disiplinën, përkushtimin dhe besimin si pjesë të rëndësishme të rrugës drejt suksesit.
Tashmë, pas startit pozitiv në profesionizëm, vëmendja është kthyer te sfidat e ardhshme. Kundërshtarët e radhës i presin gjatë muajit tetor, ku të dy vëllezërit synojnë të vazhdojnë serinë e fitoreve dhe të bëjnë një tjetër hap përpara në karrierën profesionale.
Ismet dhe Endrit Ademi nuk premtojnë rrugë të lehtë. Por fizikisht, teknikisht dhe mbi të gjitha me ambicien që kanë, ata synojnë të ndërtojnë një histori që nuk përfundon vetëm me disa fitore profesioniste.

“Synimi është t’i zhvillojmë deri në 4 meqe për vit, e në vitin e ardhshëm të luftojmë për titull të Evropës, andaj për të gjithë shqiptarët adhuruesit tanë e kemi një porosi, na përcillni, do ta mbajmë flamurin lartë, do të bëhemi kampion bote dhe do t’i bëjmë shqiptarët krenarë”,ka thënë Endrit Ademi.

Nga amatorizmi te profesionizmi, nga sparingu me boksierë të njohur te nokautet e para, nga flamuri shqiptar në ring te ëndrra për titullin e botës — vëllezërit Ademi sapo kanë nisur rrugëtimin.

Teilen: