Skuadra Red Bull vazhdon të dominojë renditjen e kampionatit botëror të Formula 1 edhe në vitin 2024. Por, krahasuar me të kaluarën, është e qartë se konkurrenca është afruar më shumë me skuadrën e Milton Keynes.
Ferrari, McLaren dhe Mercedes të gjithë kanë arritur të fitojnë të paktën një garë në këtë gjysmë të parë të sezonit. Mercedes vjen në Hungari pas dy fitoreve radhazi dhe McLaren ka shansin për të arritur më shumë fitore nëse do të kishte pak më shumë fat.
Konfirmimin e faktit se RB20 nuk është aktualisht në “top formë” e ka dhënë vetë Max Verstappen. “Në fillim të vitit u ndjeva shumë mirë me makinën, e cila ndjehej edhe më e natyrshme se vitin e kaluar, gjë që ishte pozitive”, tha Verstappen.
“Por, më pas, do të thosha se pas disa garash, me afrimin e konkurrencës, makina pati disa fundjava të çrregullta dhe u bë më e vështirë për ta bërë atë të funksionojë”, u shpreh më tej tri herë kampioni i botës në Formula 1.
Megjithatë, Verstappen nuk dëshiron që skuadra e tij të dorëzohet në këtë betejë për zhvillim: “Skuadrat e tjera kanë bërë hapa përpara më shumë se ne, kjo është shumë e qartë. Gjithsesi, e di që ekipi im po përpiqet shumë për të gjetur paraqitjet e duhura”.
“Këto makina janë shumë të komplikuara, por ne duhet të gjejmë më shumë performancë. Nuk po e përdor këtë si justifikim, sepse nuk dua të mendoj kështu, por realiteti është se ne kemi më pak kohë. Ne përpiqemi të bëjmë më të mirën”, tha Verstappen.