Sot në mbrëmje, në ora 20:45, në Udine, Milani do të hapë zyrtarisht javën e 31-të të Serisë A. Kuqezinjtë duan t’u rikthehen fitoreve pas humbjes në Napoli dhe barazimeve me Interin (në Kupën e Italisë) dhe Fiorentinën. Për shkak edhe pushimit, Serxho Konseisao nuk shijon 3 pikët për gati një muaj dhe sipas konferencës për shtyp do të mundohet ta bëjë sot.Çfarë nevojitet për të parë një Milan të mirë që në fillim të sfidës?
Ndeshjet fitohen që në minutën e 1-rë, ndaj duhet të jemi të përqendruar. E kemi folur mes nesh, reagojmë, por nuk është gjithmonë e lehtë të përmbysësh rezultatet. Fatkeqësisht, ka ndodhur disa herë. Sidoqoftë, kam disa ndjenja të mira. Le të shpresojmë që ndeshja të reflektojë punën e bërë.
Kur e shikoni renditjen, cili është objektivi juaj?
Çdo gjë e shikoj dita-ditës me synimin për të përmirësuar veten. Fokusi është i gjithi tek Udineze, pasi janë tri pikë të rëndësishme për të fituar.
Keni bërë nëntëmbëdhjetë zëvendësime pas pjesëve të para, pse?
Duket si kontradiktë, por nuk është. Mundohem të menaxhoj dhe të ndryshoj lojën për të ndihmuar djemtë. Ndonjëherë plani i përgatitur i lojës ndryshon, veçanërisht nëse pëson një gol
Atmosfera në Udine nuk duket të jetë më e mira edhe për shkak të asaj që po ndodh me Menjanë (fyerje raciste). Si e komentoni situatën?
Majk duhet të mendojë për ndeshjen, ai nuk është i shqetësuar dhe as ne. Nëse ka ndonjë kor ofensiv, do të kujdesen organet kompetente.
Nëse do të kishit mbërritur në korrik, ku do të ishte Milani tani?
Unë kam të meta dhe nuk jam magjistar. Nuk di si të përgjigjem.
A keni punuar në një modul tjetër, për shembull me dy pyka?
Ka kaq shumë gjëra të çuditshme këtë vit, shihni Loftus-Çikun të detyruar t’i nënshtrohet një operacioni disa orë para ndeshjes kundër Napolit dhe tani Uoker që u dëmtua në shtëpi. Po punojmë për dinamika të ndryshme në lidhje me qasjen e ekipit (referenca është për modulin) dhe për të zhvilluar seanca stërvitore të forta si në ndeshje.
A mund të shohim në Udine një Milan me dy sulmues?
Më pëlqen ky modul, por nuk jemi ende një ekip i gatshëm për skema të tilla. Na mungon ekuilibri i nevojshëm. Jovivcit i pëlqen të luajë, unë po i jap minuta. Ai po na ndihmon, pastaj më takon mua të zgjedh.
Shohim një Milan që ka probleme të nisë lojë. A po punoni në një mënyrë të veçantë?
Jam dakord, me Fiorentinën luajtëm topin e gjatë me Majk, sepse nuk kishim besim të luanim duke nisur nga prapavija.
A është Florenzi gati për të luajtur?
Duhet ta menaxhojmë mirë, me ekuilibër. Ai ka një shpirt të madh dhe na ndihmon edhe jashtë fushës. Ka disa vështirësi, fatkeqësisht nuk stërvitet me ne çdo ditë të javës. Me kalimin e kohës, shpresoj se mund të na ndihmojë edhe në fushë.
REINOLD BAKALLI-PANORAMASPORT.AL