Gara për “Pichichi Trophy”, çmimin që i jepet golashënuesit më të mirë në La Liga, po hyn në fazën vendimtare dhe dilema kryesore mbetet: Vedat Muriqi apo Kylian Mbappe?
Sipas gazetës spanjolle, AS, kompanitë e basteve e favorizojnë sulmuesin e Real Madridit, Kylian Mbappe, i cili aktualisht kryeson listën e golashënuesve me 23 gola.
Nga ana tjetër, sulmuesi i Mallorcas, Vedat Muriqi, e ndjek nga afër me 21 gola, duke mbajtur të hapur garën deri në fund.
Me edhe shtatë javë të mbetura deri në përfundimin e sezonit në La Liga, gjithçka mbetet e mundur.
Megjithatë, koeficientët e basteve tregojnë një avantazh të qartë për francezin, Mbappe ka kuotën 1.05 për të fituar çmimin për herë të dytë radhazi, ndërsa Muriqi kuotohet me 11.
Ndërkohë, talenti i ri Lamine Yamal shihet si një kandidat i largët, me koeficient 101.
Një fakt interesant është se Mbappe nuk ka shënuar që nga 8 shkurti, duke hapur kështu mundësinë që diferenca të ngushtohet edhe më shumë në javët e fundit.
Në anën tjetër, Muriqi vjen në formë të mirë, pasi realizoi dy gola në fundjavë, duke u bërë njëkohësisht golashënuesi më i mirë në historinë e Mallorcas në La Liga.
Gara për “Pichichi Trophy” pritet të jetë e fortë deri në xhirot e fundit, me të dy sulmuesit që synojnë të shkruajnë historinë në elitën e futbollit spanjoll.