Saturday, 23. May 2026
Sport

Vushtrria dhe Feronikeli ’74 rikthehen në Superligën e Kosovës

GS 23/05/2026 2 Min. Lesezeit

Pas një gare të zjarrtë deri në xhiron e fundit, është mbyllur edicioni i sivjetmë në Ligën e Parë të Kosovës, duke zbuluar skuadrat që sigurojnë ngjitjen në elitë dhe ato që do të vazhdojnë betejën përmes barazhit.

Vushtrria ka kurorëzuar sezonin me titullin kampion, pasi triumfoi në ndeshjen vendimtare ndaj Vëllaznimi me rezultat 3-1, duke siguruar rikthimin në Superligën e Kosovës pas gjashtë vitesh mungesë, transmeton lajmi.net.

Skuadra e drejtuar nga Armend Dallku e mbylli kampionatin me 75 pikë, një më shumë se Feronikeli ’74, i cili gjithashtu siguroi promovimin direkt në elitë me 74 pikë.

Përballja në Vushtrri nisi më mirë për mysafirët, me Dardan Jasharin që realizoi për epërsinë 1-0 të Vëllaznimit në pjesën e parë. Megjithatë, vendasit reaguan fuqishëm pas pushimit.

Urim Statovci riktheu baraspeshën në minutën e 60-të, ndërsa pak minuta më vonë përmbysi rezultatin nga pika e bardhë për 2-1. Fitoren dhe festën e vulosi Erjon Krasniqi me golin e tretë.

Humbja rezultoi fatale për Vëllaznimin, që mbeti jashtë zonës së barazhit dhe e përfundoi sezonin në pozitën e gjashtë me 70 pikë.

Ndërkohë, drama për promovim vazhdon për Liria dhe Dinamo Ferizaj, të cilat siguruan vendet tre dhe katër dhe tashmë do të përballen në gjysmëfinalen e barazhit.

Liria e mbylli sezonin me një fitore bindëse pikërisht ndaj Dinamos, duke triumfuar 5-1 në Ferizaj në xhiron e fundit. Të dy skuadrat e përfunduan kampionatin me nga 71 pikë, por prizrenasit mbajtën pozitën e tretë.

Fituesi i këtij dueli do të luajë ndeshjen finale të barazhit ndaj skuadrës që përfundon e teta në Superligën e Kosovës, pozitë që aktualisht mbahet nga Llapi./lajmi.net/

Teilen: