U mbyll 20-ta, Interi kërkon numrin 21. Nëse pritja për yllin e dytë ka zgjatur 3 vite, për kampionatin e dytë radhazi nuk mund të presin më gjatë.Dy tituj kampionë njëri pas tjetrit mungojnë që prej 14 vitesh, pikërisht që nga sezoni i tripletës me Murinjon, i cili kishte marrë stafetën nga Mançini. Në total ishin 5 kampionate radhazi mes Manços dhe “Special One”. Sot, misioni zikaltër ka të bëjë me rikthimin në të shkuarën, të dominojë sërish dhe të bëjë histori.
RIVALËT- Milani ka përshëndetur Zhirunë dhe është ende në kërkim të një sulmuesi të ri. Juventusi është duke u ribërë nga e para, ndërsa Napoli është i “burgosur” prej Osimhenit. Kjo do të thotë se zikaltrit për momentin janë më të avantazhuar sesa rivalët për të fituar titullin kampion. Kur në mesin e gushtit ekipet të zbresin në fushën e lojës, lojtarët kampionë të Simone Inzagit do të jenë secili në vendin e tij: Lautaro, Barela, Çalhanoglu dhe Bastoni. Klubi nuk do të privohet në rast se për ta vijnë oferta të çmendura, por është duke punuar për të qenë i përgatitur gjithmonë. Taremi dhe Zielinski janë zyrtarizuar që në janar.
Grupit do t’i bashkohet edhe Martinez, portieri që ka kryer vizitat mjekësore. Pjesën e fillimit të sezonit mund ta shohë nga pankina, por do të marrë minuta. Ndërkohë që skuadrat e tjera si Milani, Juventusi dhe Napoli kanë trajnerë të rinj si Fonseka, Mota dhe Konte, Inzagi do të nisë sezonin e tij të katërt në drejtimin e Interit. Do të firmosë sa më shpejt kontratën deri në vitin 2026 me rrogë 6,5 milionë euro në vit. Inzagi është një trajner më i përfshirë me grupin dhe që e njeh me symbyllur. Ai e nis këtë sezon me misionin për të fituar një tjetër titull kampion.
PILOT AUTOMATIK- Dominimi nga viti 2006 deri në vitin 2010 lindi mbi të gjitha edhe prej zgjedhjeve të merkatos. Grupi i senatorëve u ruajt në skuadër vit pas viti dhe u afruan lojtarë cilësorë që u përshtatën menjëherë. Madje kur Murinjo mori drejtimin nuk u tremb që të largonte Ibrahimoviçin për të afruar Lusion, Shnajderin, Militon dhe Etonë. Interi i këtij sezoni ka një tjetër mision, që pronarët e rinj të “Oaktree” të debutojnë me triumf dhe tvazhdojnë misionin për të ringritur skuadrën.
SHPATULLA TË GJERA- Për t’u rritur duhen shpatulla të gjera, madje shumë të gjera. Ashtu si ato të “Oaktree”, fondit amerikan që nga maji ka marrë drejtimin e klubit dhe ka një plan konkret për ta shndërruar skuadrën me një dimension botëror. Nga merkato, te kompeticionet e ndryshme për të qenë një ekip konkurrues kudo ku merr pjesë. Do të luajë një Champions ndryshe dhe organika duhet të jetë e plotë. Interi do të nisë një sezon ëndrrash.
GENTJAN ALINANI-PANORAMASPORT.AL