Kroacia ka kaluar periudhën e saj më të suksesshme në histori nën drejtimin e trajnerit Zlatko Daliç, i cili u ul në stolin e saj thuajse si një emër i panjohur, por drejtoi këtë ekip në suksese si asnjëherë më parë.
Vendi i dytë në Botërorin 2018, vendi i tretë në Botërorin 2022 dhe vendi i dytë në Ligën e Kombeve 2023 janë një bilanc mëse pozitiv për Kroacinë që tashmë merr pjesë me ambicie në Euro 2024, ku kundërshtare në grup ka edhe Shqipërinë.
“Këto gjashtë vite të fundit kanë qenë të mbushur me suksese, Tre medalje, askush nuk priste kaq shumë. Të them të drejtën, nuk e prisja as unë kur e nisa. Nuk mendoja se do të zgjatja kaq gjatë në drejtim.
Ky është turneu im i katërt, me një brez kampionësh që ndryshon çdo vit. Jam shumë i lumtur, krenar dhe ende i motivuar, por edhe i mbushur me energji, kemi arritur edhe një herë objektivin tonë, të shkojmë në fazën finale të një Europiani.
Do të ishte fantastike të bënim mirë edhe në këtë turne, por t’i marrim gjërat me radhë hap pas hapi. Objektivi i parë ishte të kalonim fazën në grupe, pastaj do të bëjmë më të mirën tonë, dalëngadalë, por pa u ndalur, që të kërkojmë rezultate sa më të mira”, tha Dalic ndër të tjera në intervistën e tij.
PANORAMASPORT.AL