Borussia Dortmund dhe Niko Kovac do të vazhdojnë rrugëtimin e tyre së bashku. Klubi gjerman ka njoftuar zgjatjen e kontratës për trajnerin kroat, i cili ka nënshkruar një marrëveshje të re që zgjat deri më 30 qershor 2029.
Ky vendim rikonfirmon besimin e drejtuesve te trajneri 54-vjeçar, i cili mori drejtimin e në pranverën e vitit 2025, kur ekipi renditej në vendin e njëmbëdhjetë në Bundesliga. Kovac e riktheu me sukses BVB-në në nivelet e larta, duke siguruar kualifikimin në Champions League në javën e fundit të sezonit 2024/25 dhe duke e çuar më pas ekipin në vendin e dytë në kampionat me 73 pikë.
“Kemi qenë në rrugën e duhur me Niko Kovač që kur ai mori drejtimin. Ai e ka zhvilluar vazhdimisht ekipin dhe gëzon vlerësim të madh brenda klubit. Kjo zgjatje kontrate është një sinjal i qartë vazhdimësie dhe stabiliteti,” deklaroi drejtori sportiv Lars Ricken.
Drejtori Ekzekutiv Carsten Cramer gjithashtu theksoi lidhjen e fortë të trajnerit me Borussia Dortmund: “Niko identifikohet fuqimisht me BVB-në dhe përshtatet në mënyrë të përkryer me klubin tonë.”
Statistikat konfirmojnë performancën e trajnerit kroat: në 53 ndeshje të Bundesliga në krye të Dortmund, ai ka grumbulluar 114 pikë, një mesatare prej 2.15 pikësh për ndeshje, shifra më e lartë e regjistruar ndonjëherë nga një trajner në historinë e klubit.
“Kemi përcaktuar një kurs të qartë për të ardhmen dhe kemi hedhur baza të rëndësishme për rritje. Nuk duam të kënaqemi me rezultatet e arritura, por të vazhdojmë të përmirësohemi çdo ditë,” komentoi Kovač pas zgjatjes së kontratës.