Më 17 e 18 korrik, dy zyrtarë të lartë të ADAC (klubi më i madh i mobilitetit në Evropë), Gerd Ennser, president i Motorsportit dhe Eventeve Klasike dhe Karlheinz Jungbeck, drejtor i Turizmit kanë qenë mysafirë të Federatës së Auto Sportit të Kosovës (FASK) dhe Auto Moto Klubit të Kosovës (AMCK).
Mysafirët nga Gjermania u pritën nga kryetari Ismet Rexhepi, Bekim Ahmeti, Rexhep Baholli, Nehat Çitaku e Apoita Rexhepi, ndërsa të pranishëm ishin edhe Ibër Alaj drejtor i Departamentit të Sportit dhe Bardh Krasniqi drejtor i Drejtoratit për Sport në Komunën e Prishtinës.
“Më 17 e 18 korrik i patëm dy mysafirë shumë të respektuar nga ADAC, që është klubi më i madh i mobilitetit në Evropë. Bëhet fjalë për institucionin e dytë më kredibil të sigurisë në Gjermani, ku dihet që i pari gjithmonë është policia. Mësafirë tanë ishin Gerd Ennser, president i Motorsportit dhe Eventeve Klasike në ADAC dhe Karlheinz Jungbeck, drejtor i Turizmit, me të cilët biseduam gjatë dhe për tema të ndryshme”, ka thënë kryetari i FASK-ut, Ismet Rexhepi.
“ADAC përveç mobilitetit e ka edhe sportin, ndërsa për ata që nuk e dinë, në mobilitet përfshihen siguria në trafik, asistenca rrugore, turizimi dhe ambienti. Ne i kemi takuar në Asamblenë e Përgjithshme në Baku dhe i kemi ftuar për vizitë në vendin tonë. Jemi të kënaqur që ftesës i janë përgjigjur pozitivisht. Qëllimi i vizitës është forcimi i bashkëpunimit në fushat e njëjta. AMCK dhe FASK në Kosovë luajnë rol të rëndësishëm si në aspektin e sigurisë ashtu edhe atë sportiv”, ka shtuar Rexhepi, duke theksuar se Kosova mund të përfitojë nga njerëz e institucione të tilla.
“Gjatë këtyre dy ditëve kemi folur për eksperienca të ndryshme dhe përvojën e tyre 121 vjeçare në FIA. Jemi dakoarduar t’i bashkërendisim aktivitetet. Nga të dyja palët është vlerësuar se ka potencial të jashtëzakonshëm për bashkëpunim në fushat e përmenduar. Kosova ka nevojë dhe vullnet, ata i kanë mundësitë. Pas kthimit në Gjermani, ata do t’i njoftojnë anëtarët tjerë të Bordit me atë që kanë parë në Kosovë, si në aspektin e resurseve njerëzore, infrastrukturën dhe qëllimet që i kemi”, ka bërë të ditur kryetari i FASK-ut, njëkohësisht themelues i AMCK-së.
Të dyja palët janë pajtuar që në ditët në vazhdim të ketë një vizitë të delegacionit tonë në Gjermani.