Saturday, 28. November 2026
Sport

114 vjet Pavarësi, festime në Lezhë dhe në Fier, aktivitete dhe homazhe

GS 28/11/2026 2 Min. Lesezeit

114-vjetori i Shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë është përkujtuar me ceremoni festive në disa qytete të vendit. Në Lezhë dhe Fier, aktivitetet nisën me ngritjen e flamurit kombëtar dhe vendosjen e kurorave me lule në nderim të kësaj date të rëndësishme historike.

Në Lezhë, ceremonia zyrtare u zhvillua pranë obeliskut të “Besëlidhjes”, në qendër të qytetit. Në aktivitet morën pjesë përfaqësues të pushtetit vendor, deputetë të Partisë Socialiste dhe përfaqësues të qeverisë.

Kryetari i Bashkisë Lezhë, Pjerin Ndreu, dhe ministri i Mbrojtjes, Ermal Nufi, vlerësuan kontributin dhe sakrificat e atyre që punuan dhe luftuan për shpalljen e Pavarësisë, duke përcjellë mesazhin e bashkimit dhe krenarisë kombëtare.

‘Në shenjë nderimi dhe përulje për gjithë atë sakrificë, kontribut që është dhënë nga Ismail Qemali, Luigj Gurakuqi, Isa Boletini dhe shumë të tjerë atdhetar që me 28 nëntor më 1912 ngritën flamurin dhe bënë Shqipërinë të pavarur’, u shpreh Ndreu.

“Zyrtarisht është Dita Kombëtare e Flamurit dhe nuk ka rast më të mirë se të festojmë në Lezhë, kjo datë është e lidhur thelbësisht me kombin shqiptar, sot e nderojmë këtë flamur”, tha ministri Nufi.

Aktivitetet vijuan në Pallatin e Kulturës, ku u organizua një veprimtari muziko-letrare kushtuar festave të nëntorit.

Edhe në Fier, 114-vjetori i Pavarësisë u festua në një atmosferë kuq e zi, nën tingujt e bandës frymore të qytetit. Në ceremoninë e ngritjes së flamurit, pranë memorialit historik në qendër të qytetit, morën pjesë autoritete vendore, deputetë, pasardhës të familjeve të dëshmorëve, përfaqësues të komuniteteve fetare dhe të policisë.

/rtsh.al/

Teilen: