250 kandidatë për ushtar/detar aktiv, mes tyre 28 vajza nisin sot Stërvitjen Individuale Bazë, duke hedhur hapin e parë drejt karrierës ushtarake në Forcat e Armatosura të Republikës së Shqipërisë.
Në ceremoninë e përcjelljes së kontingjentit, të zhvilluar në Garnizonin “Skënderbej” në Tiranë, Ministri i Mbrojtjes i Republikës së Shqipërisë, Ermal Nufi vlerësoi vendimin e të rinjve për t’iu bashkuar Forcave të Armatosura.
“Është emocion i veçantë për mua sot që të jem në këtë ceremoni, ku 250 djem dhe vajza, nga më të mirët që ka Atdheu, kanë vendosur t’i bashkohen Forcave të Armatosura. Nuk është vendimmarrje e lehtë. Do të keni shumë sfida dhe, në fund të tyre, do të jeni krenarë për veten tuaj”, u shpreh Nufi.
Ministri i Mbrojtjes theksoi se, përtej sfidave dhe sakrificave që kërkon ky profesion, shërbimi ushtarak sjell një përmbushje të veçantë profesionale dhe personale.
“Krenaria, gëzimi, si dhe kënaqësia profesionale dhe individuale që do të keni për t’i shërbyer Atdheut, është gjëja që do t’ju shoqërojë gjithë jetën”, theksoi ai.
I pranishëm në këtë ceremoni ishte edhe Shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura, Gjenerallejtënant Arben Kingji.
Stërvitja Individuale Bazë do të zhvillohet në periudhën 26 tetor 2026 – 8 janar 2027, në qendrat stërvitore në Poshnje (Berat); Vau i Dejës dhe Zall Herr (Regjimenti i Operacioneve Speciale, Tiranë).
Gjatë kësaj periudhe, rekrutët do të përvetësojnë njohuritë dhe aftësitë bazë ushtarake, duke zhvilluar më tej disiplinën, vetëbesimin, përgatitjen profesionale dhe aftësinë për të vepruar në grup.
/rtsh.al/