Prokuroria e Tiranës ka nisur hetimet për dëmtimin në sy me plumb gome të shtetasit Erjon Vishkulli gjatë protestave të zhvilluara më 24 tetor në kryeqytet, ndërsa në të njëjtin procedim po hetohen edhe dyshimet për përdorim joproporcional të forcës nga punonjës të Policisë së Shtetit.
Sipas njoftimit zyrtar, është regjistruar procedimi penal nr. 7806 i vitit 2026, për veprat penale të parashikuara nga nenet 248 dhe 250 të Kodit Penal, në lidhje me dëmtimin e Erjon Vishkullit.
Në kuadër të hetimeve, Prokuroria ka administruar pamjet filmike të vëna në dispozicion nga Banka e Shqipërisë, kartelën mjekësore të të dëmtuarit pranë Spitalit Universitar të Traumës, si dhe ka kryer veprime hetimore në bashkëpunim me Agjencinë e Mbikëqyrjes Policore (AMP).
Gjithashtu, po punohet për përcaktimin e mënyrave të komunikimit me autoritetet italiane, me qëllim përcjelljen e një letërporosie për vijimin e hetimeve.
Në të njëjtin procedim penal, Prokuroria po heton edhe dëmtimin e disa shtetasve të tjerë, pas dyshimeve për përdorim joproporcional të forcës nga disa punonjës të Policisë së Shtetit gjatë protestave.
Deri në këtë fazë, janë administruar rreth 20 kartela mjekësore të personave të dëmtuar, ndërsa verifikimet përkatëse po kryhen në bashkëpunim me AMP-në. Prokuroria bën me dije se hetimet vijojnë për të sqaruar plotësisht rrethanat e ngjarjeve dhe për të dokumentuar rastet në përputhje me legjislacionin në fuqi.
Një ditë më parë, kryeministri Rama njoftoi se nisma për ofrimin e shërbimit të specializuar mjekësor të të riut Erjon Vishkulli në Itali është është marrë personalisht prej tij, ndërsa transporti me avion mjekësor drejt Romës dhe mbulimi i shpenzimeve janë mundësuar nga shteti shqiptar.
Kryeministri sqaroi se ka takuar dhe i ka uruar shërim të shpejtë të riut përpara nisjes drejt Italisë. Sipas Ramës, ndërhyrja nuk është bërë për protagonizëm, por për arsye humanitare.
/rtsh.al/