Një grup profesionistësh të pavarur të ligjit, qytetarësh të angazhuar dhe studentësh kanë dalë në një deklaratë për shtyp para Ministrisë së Arsimit, ku kanë kërkuar hetim të plotë nga SPAK për atë që e quajtën “shtypjen e protestës studentore”. Ata kanë dorëzuar një kallëzim penal në SPAK, ku kërkojnë hetimin e Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, Skënder Hita, si dhe të drejtuesve të tjerë policorë, për atë që e cilësojnë si mekanizëm të organizuar të shtypjes së protestës studentore.
Gjatë deklaratës, përfaqësuesit e grupit theksuan se studentët kanë të drejtë të protestojnë dhe të kërkojnë llogari nga qeverisja, duke shprehur mbështetjen e tyre për vijimin e reagimit studentor.
“Studentët kanë të drejtën për të protestuar dhe për t’i kërkuar llogari qeverisjes. Ne nuk jemi këtu vetëm për deklaratë, por për t’u dhënë një mesazh të fortë studentëve, solidaritet të fuqishëm që të vazhdojnë të kërkojnë të drejtat e tyre, sepse nuk janë të vetëm.
Një grup juristësh, pjesë e jona, kanë depozituar javën e kaluar një kallëzim penal në SPAK për të nxitur një hetim të plotë, tërësor ndaj individëve apo strukturës komanduese që ka ushtruar dhunë të koordinuar, të organizuar kundrejt studentëve që janë në të drejtën e tyre të protestojnë dhe ngrenë zërin.
Shumë e qartë që dhuna ushtrohet për të imponuar heshtjen, por ne jemi këtu për të garantuar se e drejta e lirisë së shprehjes nuk ka për t’u ndalur”, u shprehën përfaqësuesit e grupit.
Ata theksuan se qëllimi i kallëzimit penal është nxitja e një hetimi të plotë mbi përgjegjësit e mundshëm për dhunën e pretenduar ndaj studentëve, ndërsa riafirmuan mbështetjen për të drejtën e protestës dhe lirinë e shprehjes.
/rtsh.al/