Kryetari i Bashkisë së Firences, Dario Nardella, është duke biseduar me Serie A për ta anuluar ndeshjen ndërmjet Fiorentinës dhe Juventusit.
Përballja është paraparë të zhvillohet sot me fillim nga ora 20:45, shkruan lajmi.net.
Stuhia Ciaran goditi disa qytete përreth Firences në fillim të kësaj jave, duke shkaktuar përmbytje dhe shtatë të vdekur.
Mijëra njerëz u detyruan të largoheshin nga shtëpitë e tyre dhe ekipet e shpëtimit kanë punuar në zonën përreth Firences prej ditësh për të ndihmuar të prekurit nga stuhia.
Ultrasit e Fiorentinës kanë thënë se nuk do të marrin pjesë në ndeshjen e sotme mes Fiorentinës dhe Juventusit në “Stadio Franchi” për respekt për viktimat dhe për t’i ndihmuar ata në këtë moment të vështirë.
“Ne pyesim se çfarë kuptimi ka të përdorësh qindra burra për të kontrolluar një ndeshje futbolli, ndërkohë që ka një popullatë që mban zi për të vdekurit dhe ende po lufton keq,” thanë ata në një deklaratë të shtunën.
Kryetari i Firences Nardella ka marrë gjithashtu një pozicion, duke i kërkuar Lega Serie A dhe ministrit të Brendshëm Piantedosi të anulojnë lojën.
“Unë kam qenë në telefon me presidentin e Lega Serie A që dje, duke folur hapur për mundësinë e shtyrjes së ndeshjes së sotme mes Fiorentinës dhe Juventusit, sepse një vendim i tillë varet vetëm nga Lega”, shkroi Nardella në Facebook.
“Kam folur për këtë me ministrin Piantedosi. Shpresoj të mbizotërojë arsyeja e shëndoshë dhe ndërkohë, vazhdoj të punoj pafundësisht me Mbrojtjen Civile, kryetarët e bashkive dhe vullnetarët për të ndihmuar familjet e goditura nga përmbytjet.”
Juventus mbërriti në Firence mbrëmjen e së shtunës.
Një minutë heshtje është mbajtur përpara ndeshjes së fundjavës në Serie A dhe Serie B për të nderuar shtatë personat që u konfirmua se kanë vdekur nga përmbytjet. /Lajmi.net/