Të veshësh fanellën me numrin 10 të Kombëtares është një nder dhe përgjegjësi e madhe, veçanërisht nëse së fundmi sapo ke bërë 21 vjeç.
Jamal Musiala, talenti dhe shpresa e futbollit gjerman për Kampionatin Europian, që do të luhet në Gjermani, e di mirë këtë fakt.
Mesfushori i Bayern Munich tha për mediet gjermane përpara miqësoreve kundër Francës dhe Holandës se gjithmonë e kishte ëndërruar që një ditë të mbante numrin 10 në Kombëtare.
“Numri 10 ka qenë gjithmonë një ëndërr, që kur isha fëmijë.
Kur shikoja Messin, gjithmonë doja ta vishja atë fanellë.
Është vërtet e veçantë.
Ne jemi Gjermania dhe duhet të japim gjithçka nga vetja, ta kthejmë presionin në motivim. Ndihem si një lider, shpresoj të tërheq edhe shokët e skuadrës”-deklaroi Musiala.