Amir Rrahmani dhe Milot Rashica janë në dyshim për duelin me Armeninë, sipas përzgjedhësit të Kosovës, Franco Foda, para duelit të së premtes.
Të dy futbollistët kanë pasur probleme muskulore gjatë ditëve të fundit, por pas stërvitjes së sotme, do të vlerësohet situata e futbollistëve nis mund të luajnë të premten në miqësoren kundër Armenisë.
“Në ditët e fundit jemi përgatitur shumë mirë dhe mezi e presim ndeshjen me Armeninë. Të gjithë lojtarët janë të gatshëm përveç Amir Rrahmanit dhe Milot Rashicës, që kanë probleme të lehta muskulore, por që të dy do të përgatiten me ekipin, dhe për situatën e tyre do të vendosim nesër”, ka thënë Foda.
Për ndeshjen e tij të parë me “Dardanët”, trajneri gjerman ka qenë i matur duke e vlerësuar kundërshtarin.
“Armenia dhe Kosova kanë lojtarë shumë të mirë, sidomos teknikisht dhe që të dyja kanë paraqitje solide. Në tri ditët e fundit jemi koncentruar në aspektin taktik. Do të luajmë në mënyrë sa më agresive dhe të sulmomë sa më shpejt”, ka thënë Foda.
Në konferencën për gazetarë në Yerevan të Armenisë, i pranishëm ishte edhe sulmuesi i Kosovës, Vedat Muriqi, i cili ka thënë se kombëtarja dardane është favorite përballë Armenisë.
“Edhe pse është ndeshje miqësore ne jemi përgatitur fizikisht e mentalisht për këtë ndeshje. Për ne është më rendësi ta fitojmë ndeshjen sepse, na duhet starti i mirë dhe të mësohemi me fitore. Jemi taktikisht e fizikisht më të mirë se Armenia, por këtë duhet ta dëshmojmë në fushë”, ka thënë Muriqi.
Kosova luan të premten përballjen e parë të vitit, përballë Armenisë në Yerevan nga ora 17:00 me kohën tonë lokale, ndërsa katër ditë më vonë, në Budapest ndeshet me Hungarinë.