Mund të cilësohet si fundit i një epoke, një prej atyre që ka bërë histori në futboll dhe nuk është rastësi që tabloidi gjerman “Bild” e ka quajtur si “tërmet në Federatë”.
Pas plot 77 vitesh, Federata Gjermane e Futbollit do të mbyllë partneritetin me kompaninë e veshmbathjeve sportive “Adidas”, teksa ka nënshkruar një marrëveshje tashmë me rivalin e saj më të madh, “Nike”.
Suksesi i kompanisë gjermane lidhet ngushtë me atë të përfaqësueses së këtij vendi, që i ka bërë reklamë në të gjithë botën. Por tani marrëveshja mes tyre, që nisi në vitin 1950, do të përfundojë në mbyllje të vitit 2026, kur skadon edhe kontrata aktuale.
“”Nike” bëri një ofertë ekonomikë dukshëm më të mirë dhe na çuditi me vizionin që kishin edhe sa i përket futbollit amator dhe të femrave”, tha Holger Blask, shefi ekzekutiv i Federatës Gjermane të Futbollit pas këtij vendimi që cilësohet si historik, pasi nga viti 2027, deri në vitin 2034, Gjermania do i përkasë kompanisë amerikane.
PANORAMASPORT.AL