Kombëtarja e Kosovës u19 ka nisur mrekullisht kampanjën ‘Elite Round’ për kualifikimin në Kampionatin Evropian, pasi ka triumfuar ndaj Austrisë me rezultatin minimal 1:0. Momentalisht pas një xhiro të zhvilluar, Kosova ndodhet në pozitën e parë me tre pikë – e ndjekur nga Spanja e Sllovenia (1 pikë) e Austria (0 pikë).
Trajneri i kombëtares së Kosovës U19, Adil Maliqi u shpreh shumë i lumtur me startin perfekt në “Elite Round”, pra pas fitores ndaj Austrisë.
“Një start shumë, shumë i mirë. Është starti i dëshiruar sipas planit, jemi ndesh me një skuadër shumë të fortë që ka lujtë me një plan, që u përgatit maksimalisht, kanë pas edhe në shkurt grumbulime, edhe këtu kanë ardhë një javë më herët, kurse ne veç një stërvitje, kjo na penalizoi pak, por djemve duhet m’i jap komplimente të mëdha se e kemi kompenzu me përkushtim këtë ndeshje dhe e kemi kthyer me fitore”, tha fillimisht trajneri Adil Maliqi për ‘GazetaBlic Sport’
Një nga më meritorët për fitoren e ‘Dardanëve’ dje ishte portieri Erion Avdija, i cili priti penalltinë e sulmuesit austriak, Dursun, në minutën e 23’të të ballafaqimit dhe pati disa intervenime të mrekullushme gjatë ndeshjes.
Maliqi thotë s’e nuk ka parë portier më të mirë dhe është tejet i lumtur që e ka në kombëtare.
“Portierit duhet t’ia japim tri herë çmimin “MVP”, jo një herë. Kam pa shumë, por një talent të tillë në portë s’kam pa kurrë, ka reflekse të jashtëzakonshme, është fenomen, jemi të lumtur që e kemi një shtyllë prapa që e ka këtë cilësi siç është Erioni”, vazhdoi Maliqi.
Kosova u19 tani do të përballet me Spanjën U19 pas dy ditësh dhe me Slloveninë me 26 mars, ku në rast se mbetet edhe pas këtyre dy sfidave në vendin e parë – atëherë do kualifikohen në Kampionatin Evropian. Trajneri thotë se do futen në dyja takimet me guxim dhe me planin e tyre.
“Ne jemi ajo skuadra që më së paku kemi për të humbur, kemi më pak presion sesa kundërshtarët tonë. Spanja pritej që do t’i merrte 9 pikë, por ajo s’bëhet më, hyjmë me guxim dhe idetë tona dhe të provojmë maksimumin në dy duelet”, përfundoi trajneri.
/GazetaBlic Sport
U19 / Si funksionon kualifikimi në Kampionatin Evropian, cilat janë gjasat për Kosovën?