Pasi e sulmuan tifozin e Dritës në vendin e tij të punës, me urdhër të Prokurorit, Policia e Kosovës i ka ndalur në mbajtje për 48 orë drejtorin sportiv të Dritës, Valon Zymberin, bashkë me dy persona të tjerë, me inicialet F.R dhe I.Sh.
Zyrtarët e klubit e sulmuan njërin nga krerët e “Intelektualëve” dhe shokët e tij në një kafiteri në Gjilan pas ndeshjes që Drita e humbi nga Prishtina dhe u eliminua nga Kupa.
Zëdhënësja e Prokurorisë në Gjilan, Liridona Xheladini dha më shumë detaje rreth ndaljes së Zymberit dhe të tjerëve.
“Referuar kërkesës suaj ju njoftojmë se për këtë rast Prokuroria Themelore në Gjilan, me urdhër të prokurorit ka ndaluar tre persona, tani të pandehurit I.Sh., V.Z. dhe F.R., në kohëzgjatje prej 48 orëve për shkak të dyshimit se kanë kryer veprën penale ‘’Lëndimi i lehtë trupor’’. Prokurori i rastit brenda afatit ligjor ndaj të pandehurve do të kërkojë masën për sigurimin e pranisë së tyre në procedurë penale nga Gjykata Themelore në Gjilan”, thuhej në përgjigje.
Pas kësaj, tifozët ishin revoltuar në stadium ndaj kryesisë dhe lojtarëve, ndërsa tensionet u përshkallëzuan jashtë stadiumit duke u shkaktuar edhe incidenti i madh që përfundoi me arrestime.
Edhe më herët ka pasur pakënaqësi të tifozëve që e kërkonin largimin e Zymberit nga detyra, e madje gjatë edhe i bojkotonin ndeshjet e Dritës që nuk ua plotësonte kërkesën për largimin e drejtorit sportiv.