Ndeshja e dytë miqësore ndërmjet Kosovës dhe Bullgarisë për grupmoshën deri 15-vjeç, ka qenë reprizë e miqësores së parë, jo vetëm sa i përket rezultatit, por edhe sa i përket mënyrës së ecurisë së lojës.
Pas një loje mjaft angazhuese nga të dyja ekipet në fund rezultati i ndeshjes së zhvilluar në Kampin Nacional të FFK-së në Hajvali ishte baras 1:1.
Edhe në ndeshjen e sotme pjesa e parë kaloi në shenjë të një dominimi të lehtë të bullgarëve, të cilët kaluan në epërsi qysh në minutën e 16-të përmes Petar Blagoev, me gjuajtje me kokë nga afërsia.
Gjërat ndryshuan pozitivisht për Dardanët e rinj në pjesën e dytë, duke krijuar më shumë raste shënimi, e ku si rrjedhojë edhe gjetën golin e barazimit. Ishte minuta e 69-të, kur Albion Rexhepi shënoi me gjuajtje nga brendësia e zonës.
Pas këtij goli Dardanët rritën presionin drejt portës bullgare dhe krijuan disa mundësi, por nuk e gjetën golin e fitores.
Në anën tjetër, bullgarët për pak sa nuk ndëshkuan hapësirat e krijuara në mbrojtje, kur në minutën e 74-t qëlluan tërthorësen.
Përzgjedhësi Ilir Nallbani i vlerësoi këto dy miqësore si shumë të rëndësishme për këtë gjeneratë të futbollistëve, e cila tash e tutje për shkak të moshës do të vazhdojë me Kombëtaren U16 nën drejtimin e Mehmet Kurdës.
“Për këto dy ndeshje e kemi bërë një seleksionim të lojtarëve bashkërisht me trajnerin Mehmet Kurda, duke marrë lojtarë nga kampionati vendor dhe Diaspora. Jemi të kënaqur me motivin dhe dëshirën e shfaqur nga lojtarët.
Edhe sot na ndodhi që në pjesën e parë të pësojmë gol dhe të mos luajmë mirë, por në pjesën e dytë e morëm sërish veten dhe luajtëm ashtu siç pritej. Tani këtë gjeneratë të futbollistëve ia kam dorëzuar kolegut
Kurda dhe shpresoj se këta futbollistë të kenë sa më shumë ndeshje të tilla, në mënyrë që të vazhdojnë rritjen e tyre në ekipet zinxhirë dhe kur të shkojnë te trajneri Arbnor Morina në Kombëtaren U17 të jenë sa më të gatshëm për garat evropiane.
Ndërkaq, ne në Kombëtaren U15 vazhdojmë me gjeneratën e lindur në 2010, me të cilën i kemi dy ndeshje në Shqipëri dhe vahdojmë punën për ta përgatitur një tjetër gjeneratë të suksesshme”, ka theksuar Nallbani.