Pasi Liga e Europës njohu fituesin e saj, Atalantën madhështore të Berat Gjimshitit dhe Xhanpiero Gasperinit, mbrëmjen e sotme në Athinë do të jetë radha për të mësuar fituesin e dytë të kompeticioneve UEFA.
Për Olimpiakosin do të ketë pa fund arsye për të triumfuar. E para sepse tifozët e skuadrës nga Pireu kanë shumë vite që nuk shohin skuadrën e tyre protagoniste në Europë, aq më shumë për një trofe kontinental, në një finale të madhe. Ndërkohë, e dyta do të jetë sepse Olimpiakosi do të ketë mundësinë që të bëjë festë në stadiumin e armiqve të betuar, impianti “Agia Sophia”, ku luan klubi tjetër i Athinës, AEK. Dhe sikur të mos mjaftonte fakti që e luajnë në shtëpi dhe nga ana e tyre do të kenë edhe tifozërinë, në radhët e Olimpiakosit luan edhe njëfarë Stevan Jovetiç, i cili me Fiorentinën ka luajtur 5 sezone (2008-2013), por sot do të provojë t’i mundë:
“Për mua do të jetë pa dyshim një sfidë shumë speciale. E para sepse dua t’i dhuroj Olimpiakosit trofeun e parë europian pas shumë vitesh dhe së dyti sepse përballë do të kem skuadrën ku kam lënë gjysmën e zemrës sime. Askush nuk më ka dashur sa në Firence dhe pa dyshim që ata janë klubi që më vunë në vitrinë në futbollin e rëndësishëm europian. Por unë premtoj se në rast se shënoj, nuk do të festoj, për nder të tifozëve të Fiorentinës”, deklaroi malazezi Jovetiç.
PANORAMASPORT.AL