Keidi Bare nuk ka vonuar shumë që të gjejë një sistemim të ri. Mesfushori i Kombëtares shqiptare, pasi ndihmoi Espanjolin që të kthehej përsëri në elitë, mbylli kontratën me klubin në fjalë dhe nisi kërkimin për një skuadër të re, pasi nuk rinovoi me katalanasit.
Ai kishte përpara oferta të ndryshme edhe nga La Liga, ku Real Vajadolid, Rajo Vajekano dhe Las Palmas kishin shfaqur interes. Por në fund, mesfushori 26-vkjeçar ka zgjedhur që të qëndrojë në La Liga 2, duke iu bashkuar klubit të Real Zaragozës, i cili kërkon t’i kthehet lavdisë së dikurshme,
Trajneri Viktor Fernandez ka marrë për herë të katërt drejtimin e këtij klubi dhe po ndërton një ekip pretendent për ta kthyer në elitë Real Zaragozën, që mungon në La Liga që nga viti 2013. Ndaj drejtori sportiv ka kontaktuar me menaxherin e Bares dhe sipas mediave spanjolle, ka gjetur gjuhën e përbashkët për një kontratë trevjeçare me të drejtë rinovimi edhe një tjetër edicion.
Bare do të jetë një nga shtyllat e ekipit që po ndërtohet me qëllimin për të bërë Real Zaragozën edhe një herë një emër të madh në Spanjë, pasi ky është mes klubeve tradicionale që kanë bërë mirë edhe në Europë, ku fitoi Kupën e Kupave në vitin 1995.