Aftësia për t’u përshtatur është një përbërës themelor i cikleve fituese. Ka ardhur koha që Interi ta dëshmojë, në funksion të një sezoni që nuk ka qenë kurrë kaq i ngjeshur.
Zikaltrit do të përfshihen në pesë turne: Seria A, Kupa e Italisë, Superkupa e Italisë, Champions dhe Kupa e Botës për Klube. Një sezon që do të shtrihet në mbi 11 muaj dhe që përfshin një minimum prej 50 ndeshjesh deri në maksimum 69. Simone Inzagi në bazë të rrethanave do të duhet të përshtatë metodat e tij të punës në bazë të kalendarit dhe për këtë arsye po punon për disa risi në menaxhimin e burimeve në dispozicion.
MË SHUMË RROTACION – Ndryshimi i parë ka të bëjë me minutazhin e secilit. Sezonin e kaluar Interi u përjashtua para kohe nga kupa kombëtare dhe turneu më i mirë kontinental, i eliminuar përkatësisht nga Bolonja dhe Atletiko e Madridit. Kjo bëri që të gjitha energjitë të kanalizoheshin drejt kampionatit, të cilin zikaltrit praktikisht e dominuan, duke arritur sigurinë aritmetike të titullit me javë ende për t’u luajtur. Një arsyetim i tillë sot nuk do të tolerohej.
Steka është ngritur, “Oaktree” ka ambicie të përbashkëta me drejtuesit dhe stafin teknik ndaj synimi është arritja në fund të të gjitha turneve në të cilat skuadra do të jetë protagoniste. Në këtë kuptim, ndeshjet, të paktën në një fazë fillestare, do të paraqiten si më të aksesueshme në letër, paraqesin mundësi themelore për të bërë rrotacion me të gjithë elementët. Mbi të gjitha, Fratezi kërkon hapësirë dhe roli i tij do të duhet të jetë shumë i ngjashëm me atë të titullarit se sa një rezervë luksi.
PËRGATITJA- Javët e fundit, ngarkesat e punës të cilave po u nënshtrohen lojtarët janë krijuar për të arritur në kushte optimale për pranverën, kur gjendja e formës do të jetë vendimtare. Nga ky këndvështrim, Inzagi ishte shumë i qartë me ekipin e tij: do të përdorë ata që janë më në formë. Një paralajmërim për të mbajtur gjithmonë përfshirje të lartë në punën e përditshme. Bazat e suksesit hidhen çdo ditë në “Appiano Gentile”, për t’u transmetuar më pas nëpër ndeshje.
VARIANTE – Përfshirjet e Zielinskit dhe Taremit rritin jashtëzakonisht potencialin sulmues në të cilin mund të mbështetet trajneri. Nuk do të thotë vetëm të kesh alternativa të besueshme me të cilat të japësh frymëmarrje për titullarët, por edhe të mendosh për variacionet taktike. Është e qartë se në fazën e parë, struktura fillestare do të jetë gjithmonë 3-5-2 me parimet përkatëse të lojës. Megjithatë, nëse është e mundur, trajneri nuk përjashton mundësinë e të menduarit për disa eksperimente, të cilat mund të rrisin dobinë për menaxhimin efikas të grupit, si dhe të japin një avantazh të padyshimtë strategjik bazuar në kundërshtarët që do të përballet Interi.
PANORAMASPORT.AL