Ngadalë, por me hapa të sigurt, Barcelonës po i rikthehen yjet nga lëndimi. Ka shpresë se De Jong dhe Gavi mund të rikthehen në fund të muajit, por i pari në listë është Ansu Fati, i cili nuk ka luajtur që nga korriku për shkak të një lëndimi në këmbë.
Hansi Flick ka qenë mjaft i etur për ta pasur Fatin në dispozicion sa më shpejt që të jetë e mundur, pasi ai kishte shfaqur shenja inkurajuese gjatë parasezonit.
Fati pritej që të rikthehej në kohë për udhëtimin e së dielës në ‘Montilivi’ për derbin katalanas ndaj Gironës, por 21-vjeçari pritet ta humbasë atë takim.
Kjo pasi sipas Mundo Deportivo, Flick ka vendosur që të mos e rrezikojë Fatin këtë vikend, duke marrë parasysh faktin se ai ka kompletuar vetëm një seancë të plotë stërvitore me grupin.
Për shkak të kësaj arsyeje, Fati nuk do të konsiderohet për përzgjedhje nga tekniku gjerman edhe në këtë sfidë.
Barcelona do të shpresojë që Fati të fillojë stërvitjet e plota gjatë ditëve në vazhdim, gjë e cila do ta lejonte atë të ishte i gatshëm për duelin ndaj Monacos në Ligën e Kampionëve javën e ardhshme.