Seanca e shumëpritur gjyqësore e Premier Ligës për 115 akuzat e ngritura ndaj Mançester Sitit do të nisë të hënën. Kampionët e Anglisë janë akuzuar për thyerjen e rregullave të “fair-play-t financiar” gjatë një periudhe nëntëvjeçare, e cila filloi në 2009 dhe vazhdoi deri në 2018. Gjatë asaj periudhe, Siti, që ka mohuar të gjitha akuzat kundër tyre, fitoi tre herë Premier Ligën.
Për çfarë akuzohet Mançester Siti? Sipas Premier Ligës, Siti theu rregullat gjatë nëntë sezoneve, duke mos dhënë informacion të saktë financiar. Ndër akuzat kundër tyre janë se ata nuk zbuluan plotësisht shpërblimet financiare që i ishin bërë një prej menaxherëve të tyre gjatë një periudhe katërvjeçare. Akuza është se kishte një kontratë sekrete, kështu që një nga menaxherët po paguhej shumë më tepër se sa ishte deklaruar zyrtarisht. Premier Liga pretendon gjithashtu se Siti nuk respektoi rregullat e UEFA-s për lojën e ndershme për një periudhë pesëvjeçare. Ata gjithashtu pretendojnë se Siti nuk ka bashkëpunuar plotësisht me hetimin e Premier Ligës.
Çfarë mund të ndodhë me Sitin? Sipas rregullave të Premier Ligës, çdo dënim mund të ketë një zbritje pikësh, ndërsa ekziston edhe kërcënimi i përjashtimit nga Premier Liga, edhe pse ky do të ishte një dënim ekstrem.
Kur do të merret një vendim? Një vendim nga Komisioni i Pavarur nuk ka gjasa të bëhet publik para pranverës. Sidoqoftë, afatet mund të zgjaten pasi është një proces ligjor, i pavarur nga ndikimi i Premier Ligës ose Sitit. Pritet që seanca dëgjimore formale me Komisionin e Pavarur të zgjasë deri në dy muaj, me Premier Ligën dhe Sitin që do të bëjnë argumentime të gjata ligjore, duke përshkruar rastin e tyre. Komisioni i Pavarur më pas do të tërhiqet dhe do të shqyrtojë të gjitha provat përpara se të marrë vendimin e tij.
Ky proces pritet të zgjasë disa muaj për shkak të vëllimit të sasisë së informacionit që do të shqyrtohet. Prandaj, mund të jetë në mars ose më vonë përpara se të bëhet publik një vendim nga Komisioni. Sapo të kenë arritur në konkluzionin e tyre, ai do të publikohet. Por edhe atëherë, nëse Komisioni vendos se Siti është fajtor për disa ose të gjitha akuzat kundër tyre, klubi ka të ngjarë të apelojë atë vendim, gjë që do të vononte më tej vendosjen e çdo sanksioni ose zbritje të pikëve.
Përgatiti: ANDROKLI DRALO – PANORAMASPORT.AL